Goli, sallatat dhe idhull Levandovskin, rrëfehet keniani Dunga

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 10:32

Goli, sallatat dhe idhull Levandovskin, rrëfehet keniani Dunga

Ismael Dunga është zbulimi më i fundit i Luftëtarit. Sulmuesi nga Kenia erdhi i fundit në skuadër për shkak të problemeve me dokumentacionin. Debutoi në javën e katërt ndaj Tiranës dhe për të gjetur golin e parë me fanellën bluzi priti nëntë ndeshje, duke realizuar pikërisht në portën e bardhebluve në fitoren 2-1 në Gjirokastër.

Dunga Luftetari

Nuk ka luajtur asnjëherë si titullar, por ai supergol javën e fundit natyrisht që ia rrit edhe më shumë vlerën. Dunga foli dje për “Panorama Sport”, duke treguar për jetën në Gjirokastër, synimet që ka me Luftëtarin, idhullin, por jo vetëm.

Shënuat një supergol ndaj Tiranës, duke i dhënë fitoren Luftëtarit. Është e vërtetë që trajneri Mezani kishte parandier se do të ishit ju protagonist i asaj ndeshjeje?

Po, është e vërtetë. Trajneri Mezani besoi tek unë dhe unë jam i lumtur tashmë që ia shpërbleva me një gol. Nëse kam më tepër mundësi aktivizimi, jam i bindur se do të shënoj shumë gola. Gjithçka ka lidhje me besimin që më jepet. Do të shfrytëzoj shansin tim.

Si përfunduat në kampionatin shqiptar?

Menaxheri i klubit gjeti lidhjet e mia me të shkuarën kur luaja në Greqi. Më pëlqeu oferta dhe firmosa, por skuadrës iu bashkova vetëm në shtator, duke humbur kështu fazën përgatitore.

Dunga8

Sa është kohëzgjatja e kontratës me Luftëtarin?

Kontrata ime me klubin është për tre vjet.

Çfarë doni të arrini?

Qëllimi im kryesor është të shënoj sa më shumë gola dhe bashkë me ekipin të jemi në një nivel të lartë, duke pretenduar gjëra të mëdha.

Na flisni pak për jetën në Gjirokastër?

Më pëlqen klima këtu në Gjirokastër dhe mundohem ta shijoj atë. Kam problem vetëm ushqimin, sepse është komplet ndryshe nga vendi ku unë vij, Kenia. Çuditërisht më shijojnë më shumë sallatat në Shqipëri, por gradualisht do të mësohem edhe me ushqimet e tjera.

Kush është miku juaj më i ngushtë në skuadër?

Xhekson Ferreira. Shoqërohem më shumë me të.

Dunga, Xhekson

A keni një idhull në futboll?

Po, është Levandovski i Bajernit të Mynihut.

Roli juaj i preferuar është sulmues qendre apo krahu?

Ndihem më mirë si qendërsulmues.

Ju keni luajtur edhe në Greqi, çfarë përshtypje ju bën tashmë kampionati shqiptar…?

Shikoj që ka shumë talente, ashtu si edhe në Greqi. Unë mendoj se vendet e Ballkanit kanë lojtarë të mirë, sidomos moshat e reja, por për fat të keq kushtet nuk ndihmojnë shumë që ata të arrijnë një nivel të lartë këtu. Pra, duhet të largohen shpejt për t’u zhvilluar më shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"