Goditje e rëndë për Egnatian para Partizanit, “ushtar” Telushi mbyll sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2022 | 23:57

Goditje e rëndë për Egnatian para Partizanit, “ushtar” Telushi mbyll sezonin

Egnatia vijon përgatitjet për ndeshjen ndaj Partizanit, që do të zhvillohet të dielën në orën 13:45 në stadiumin e Rrogozhinës. Një lajm i mirë për trajnerin Zekirija Ramadani është fakti se mesfushori ganez, Agbekpornu, si dhe sulmuesi brazilian, Pedro, janë riaftësuar plotësisht prej dëmtimeve dhe tashmë po stërviten normalisht me grupin.

bruno telushi

Mirëpo, një lajm i keq vjen për mesfushorin Bruno Telushi. Dëmtimi në gju në fillim të dhjetorit ka bërë që vlonjati të mos e shmangë dot operacionin. Stafi mjekësor i skuadrës rrogozhinase konfirmoi për “Panorama Sport” se sezoni mund të quhet deri diku i mbyllur për Telushin. Operacioni pritet të bëhet në ditët në vijim.

MBROJTËSI Gëzim Krasniqi ka qenë i pakalueshëm në qendër të mbrojtjes gjatë ndeshjeve të fundvitit 2021. Titullari i Egnatias beson shumë se ndaj Partizanit skuadra do ta nisë me fitore. Në të kaluarën Krasniqi ka qenë pjesë e të kuqve dhe ky takim për të është i veçantë. Gjatë një bisede për “Panorama Sport”, mbrojtësi flet për ndeshjen e parë të këtij viti, por jo vetëm për atë.

“Jemi duke u përgatitur në mënyrën më të mirë për përballjen me Partizanin. Kushtet e stërvitjes kanë qenë ideale dhe përballja me të kuqtë ka marrë shumë vlerësim nga të gjithë ne. E vlerësojmë pa masë kundërshtarin, por Egnatia ka detyrim vetëm fitoren dhe asgjë tjetër. E mbyllëm vitin duke mundur Teutën, pasi besuam në forcat tona. Trajneri Ramadani ka futur tjetër frymë bashkëpunimi në skuadër. Pushimet na shërbyen për t’u qetësuar dhe nga ana psikologjike. Jo vetëm unë, por të gjithë shokët janë shumë të motivuar. Drejtuesit presin shumë nga ne dhe duhet t’ua shpërblejmë”, ka thënë Krasniqi, ndërsa kujtoi edhe kohën kur luante me të kuqtë:

“Nga Partizani ruaj kujtime të bukura. Kam respekt të madh për tifozërinë e kuqe dhe drejtuesit, pa dyshim. Jam lojtar profesionist dhe dua të fitoj gjithmonë me atë fanellë që mbaj veshur. Do të kërkojmë fitoren ndaj Partizanit dhe besoj se do t’ia dalim”.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"