Gjyrezi: As kryetarja e bashkisë nuk i ndërhyn Cungut për lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2016 | 14:35

Gjyrezi: As kryetarja e bashkisë nuk i ndërhyn Cungut për lojtarët

Astrit Gjyrezi ka reaguar edhe një herë për akuzat e ngritura gjatë ditëve të fundit nga lojtari shkodran Senad Lekaj. Administratori i klubit Vllaznia i bën edhe një herë thirrje futbollistit që të nxjerrë emra konkretë për personat që i kanë kërkuar ryshfet, në të kundërt klubi do marrë masa duke bërë kallëzim në Prokurori.

Astrit Gjyrezi

Astrit Gjyrezi

Gjyrezi sqaron se askush nuk ndërhyn te Cungu për prurjet, madje as vetë kryetarja e bashkisë nuk e ka këtë akses. Sipas administratorit, Vllaznia po dëmtohet nga këto akuza dhe thekson se shkodranëve nuk u është ngrënë kurrsesi haku.

Senad Lekaj i qëndron akuzës së ngritur ditë më parë se për të veshur fanellën e Vllaznisë i është kërkuar parà. Çfarë mund të thoni për këtë?

Rasti i Senad Lekajt na ka befasuar të gjithëve, ndaj do ishte mirë që ta sqaronim këtë çështje. Senad Lekajn e kam sjellë unë te Vllaznia për të kaluar disa ditë prove. Nisur nga ankesat dhe pretendimet që kishte nga e shkuara, por edhe prej këmbënguljes së menaxherit të tij, e ftova që të afrohej për t’u provuar që në ditët e para të stërvitjes. Ne jemi ndier totalisht të befasuar. Unë i lutem atij djali që të bëjë sa më parë publike emrin e personit që i ka kërkuar ryshfet. Do të ishte në të mirë të të gjithëve.

Çfarë hapash do të ndërmerrni ju si klub?

Po e përsëris edhe një herë, ndaj edhe kërkesën po e bëj publike për lojtarin: të bëjë publik emrin që i ka kërkuar atë shumë. Në të kundërt, edhe ne do të ndjekim hapat ligjorë. Unë personalisht do ta padis në Prokurori. Në këto momente, kur jemi në valën e merkatos, të tilla fjalë dëmtojnë rëndë imazhin e Vllaznisë. Ne po mundohemi të gjejmë lojtarë dinjitozë, madje duke ua hapur derën edhe shkodranëve. Pikërisht kur gjithë angazhimi ynë është maksimal, të dalin këto fjalë të paqena e befasuese është vërtet për të ardhur keq. Ne jemi munduar që të afrojmë të gjithë lojtarët shkodranë. Kemi kontaktuar me ta, po ashtu u kemi hapur derën të gjithë atyre lojtarëve që kanë aluduar se i është ngrënë haku.

senad lekaj

Ka ndërhyrje të klubit për marrjen e lojtarëve te Vllaznia?

E kam theksuar edhe gjatë konferencës, se te Vllaznia për lojtarët që rrinë apo ikin kompetencë ka vetëm Cungu. Nuk ka të drejtë që të ndërhyjë as kryetarja e bashkisë dhe as të tjerë për të afruar dhe larguar lojtarë. Ai mban edhe përgjegjësitë për lojtarët që do të veshin këtë fanellë.

Vllaznia disa javë para startit të kampionatit është ende e paplotësuar…

Kjo është ajo që duket. Por ne po bëjmë çdo ditë maksimumin e mundshëm që të afrojmë lojtarët e duhur. Po menaxhojmë siç duhet financat e klubit që të mos bëjmë gabimet e viteve të shkuara.

vllaznia stervitje

Si po operohet me merkaton, a do afrohen të duhurit?

Unë them se po, jam optimist. Kemi kontakte përditë e më shumë lojtarë të Superiores. Janë elementë që janë në planet e teknikut Cungu, ndaj edhe ne kemi nisur negociatat. Janë emra që luajnë me skuadra elitare, por nuk mund t’i bëjmë ende publikë. Unë mund të them se në klubin tonë nga të gjithë impenjimi është maksimal duke filluar që nga kryetarja e bashkisë e të gjithë të tjerët.

Mendoni se Vllaznia e sezonit të ri do të jetë ndryshe, pra a do të rrezikohet më mbijetesa?

Unë mendoj që po. Po bëjmë gjithçka për të plotë- suar dëshirat e trajnerit, skuadra ndërkohë po vijon përgatitjet. Impenjimi për të bërë afrimet e duhura është maksimal. Po punojmë për të ndërtuar një shumë më dinjitoz se një sezon më parë, mbijetesa nuk do të diskutohet këtë sezon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"