“Gjyqtarët të jenë në nivelin e duhur dhe të mbajnë drejt”, Xhaferi kunj arbritrave: Mungon një karton i kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2021 | 14:32

“Gjyqtarët të jenë në nivelin e duhur dhe të mbajnë drejt”, Xhaferi kunj arbritrave: Mungon një karton i kuq

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, pas ndeshjes pohoi se i gëzohet barazimit që ekipi arriti ndaj Teutës, duke parë rrjedhën që mori sfida, ku për shumë minuta luajtën me një lojtar më pak. Në prononcimin e dhënë për mediat pas ndeshjes, kreu i klubit shkodran shprehu rezervat e tij edhe për gjykimin, sidomos për kartonin e kuq që u pretendua ndaj Xheksonit, i cili do të barazonte forcat në fushë. Sipas Xhaferit, nëse skuadrat do të ishin me forca të barabarta në fushë, ndeshja do të ishte më e bukur.

ALBAN XHAFERI

“Teuta është një skuadër e mirë dhe dihen kualitetet e saj. Mund të them që Vllaznia bëri një paraqitje shumë të mirë, por nuk na doli loja në dy-tri raste për të shënuar. Kam rezervat e mia për pjesën e lojtarit me të kuq, pasi mendoj që edhe lojtari i Teutës ishte për një të tillë.

Kjo ndoshta do ta bënte lojën më të bukur dhe mund të barazoheshim me lojtarë në fushë. Gjithsesi, për ne është një rezultat i mirë edhe pse fitorja do të ishte shumë më mirë, por të shohim përpara tani”, u shpreh fillimisht Xhaferi. Në lidhje me ndonjë tendencë të arbitrit kundër Vllaznisë në këtë ndeshje, Xhaferi u tregua i kujdesshëm, duke mos e parë të tillë. Por, gjithsesi ka një thirrje për ta:

“Të gjykojnë drejt dhe të jenë në nivelin e duhur”. Sipas Xheferit, me tendenca futbolli hyn në një rreth vicioz. “Tani ne jemi të mërzitur, kemi rezervat tona, por nuk dua ta quaj tendencë.

Dua t’u bëj thirrje që arbitrat të jenë në nivelin e duhur në të gjitha ndeshjet edhe të mbajnë drejt, sepse kjo i jep bukuri kampionatit. Përkundrazi, nëse do të ketë tendenca pastaj do të hyjnë në një qark vicioz dhe nuk është e mirë pastaj për asnjë skuadër”, përfundoi presidenti Alban Xhaferi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"