Gjyla: Kualifikohemi, mos të bëhemi mendjemëdhenj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2018 | 13:41

Gjyla: Kualifikohemi, mos të bëhemi mendjemëdhenj

Ilir Gjyla nuk është plotësisht i kënaqur me startin. Dy fitore dhe një barazim në kampionat nuk janë brenda pritshmërive të trajnerit. Ai do të donte edhe dy pikë më shumë, e megjithatë tashmë kërkon nga të tijtë vetëm që të mos jenë mendjemëdhenj dhe kokulur në fushë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Lushnjës i ka bërë skanerin Kategorisë së Parë, por edhe Kupës së Shqipërisë. Pasi fituan dy javë më parë në Shënkoll me shifrat 1-2, sot do të presin të besuarit e Alert Alcanit në shtëpi për të vulosur kualifikimin.

gjyla

Tekniku i verdhejeshilëve kërkoi që të merret seriozisht ky duel, e më pas të mendohet për Turbinën. “Kemi dy takime këtë javë që duhen marrë seriozisht. Unë mendoj se edhe një ndeshje kontrolli është serioze, aq më tepër një ndeshje zyrtare. Me të vërtetë kemi hedhur një hap drejt kualifikimit në Shënkoll. Por, kjo nuk do të thotë se ka mbaruar. Është edhe e kthimit. Mendoj që e kemi vlerësuar. Pse mos ta konsiderojmë një ndeshje kontrolli për ndeshjen me Turbinën?! Jo ndeshje kontrolli për të fyer kundërshtarin. Kështu që mendoj se ne do ta marrim seriozisht, pasi Shënkolli ka një skuadër që po ta shikosh grupin ku luan, ka disa rezultate pozitive. Unë mendoj se ashtu siç jemi mësuar të marrim çdo ndeshje seriozisht, edhe ndeshjen e kthimit me Shënkollin do ta marrim njësoj. Për sa i përket ndeshjes me Turbinën, do të flasim më vonë sepse gjërat duhen marrë hap pas hapi”, deklaroi fillimisht Gjyla. Më pas, trajneri komentoi 270 minutat e para të sezonit.
lushnja

“Keq nuk jemi, megjithatë unë mendoj se nuk kemi bërë asgjë. Pa dashur të tregohemi mendjemëdhenj, kemi marrë rezultate pozitive në tri javë. Por nuk do të thotë që do të flemë gjumë. Pasi për t’u ngjitur, ngjitesh avash-avash, por kur bie thyen ‘hundë e buzë’. Kështu që na mbetet për detyrë që të jemi më këmbë në tokë. Ju thoni që është pozitive! Kurse unë mendoj që duhet të kishim edhe dy pikë më shumë. Për shumë faktorë, ndoshta nuk e kemi marrë. Unë nuk kam asnjë faktor të jashtëm, përveçse shikoj punën e të mive. Këtu u mëshoj futbollistëve dhe skuadrës, që ne duhet të kishim më shumë pikë, nga çfarë kemi treguar në fushë. Megjithatë, e para është që duhet të jemi kokulur”, përfundoi trajneri.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"