Gjonikaj rikthehet titullar: Laçi ta harrojë golin, mbijetesën nuk e diskutojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2017 | 21:36

Gjonikaj rikthehet titullar: Laçi ta harrojë golin, mbijetesën nuk e diskutojmë

Kamza do të përballet të hënën në trasfertën e Laçit, në një sfidë ku do të kërkojë me çdo kusht rikthimin te trepikëshi. Skuadra ka zhvilluar dje një test brenda grupit dhe kjo e ka ndihmuar trajnerin Ndreu për të ndërtuar formacionin e mundshëm për ndeshjen ndaj kurbinasve. Portieri Fabio Gjonikaj, i cili pritet të jetë titullar në këtë takim pas dëmtimit të Halilajt, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, pohoi se Kamza nuk del pa pikë në Laç.

fabio gjonikaj

“Nga java në javë Kamza e ka rritur nivelin e lojës, përpos humbjes aksidentale në Vlorë, ku ndikim patën edhe gabimet e gjyqtarëve të ndeshjes. Ne bëmë një paraqitje të mirë ndaj Flamurtarit, por nuk mundëm të merrnim as edhe një pikë. Te skuadra jonë optimizmi është ende i gjallë dhe janë shtuar shpresat drejt realizimit të objektivit madhor, që është mbijetesa. Gjithsesi, ndeshja ndaj Flamurtarit na e ka ulur disi euforinë dhe po qëndrojmë me ‘këmbë në tokë'”, u shpreh fillimisht portieri.

Sa i përket ndeshjes së nesërme me Laçin, Gjonikaj u shpreh: “Çdo ndeshje, pavarësisht nga kundërshtari apo pozitat në të cilat ndodhet, për ne është një finale, ku do të kërkojmë të marrim maksimumin, duke mos toleruar në fushë. Unë do t’i vë ‘kyçin’ portës për sulmuesit laçianë dhe do të kërkoj më shumë nga mbrojtja që ajo të jetë ‘e hekurt’, duke mos lejuar asnjë rast rreziku drejt portës sonë. Kjo më bën të besoj se do ta mbajmë të paprekur rrjetën në ndeshjen e kësaj radhe, duke i dhënë më shumë siguri skuadrës që të shikojë përpara për të shënuar”, përfundoi portieri i Kamzës, Fabio Gjonikaj.

Kamzalinjtë kërkojnë që të bëjnë më të mirën në këtë takim dhe që të mos bien në vorbullën e etheve për mbijetesë në Superiore. Portieri Argent Halilaj dhe mbrojtësi Hektor Idrizaj konsiderohen si mungesa të sigurta për ndeshjen e nesërme ndaj Laçit, i cili gjithashtu po gëzon një formë të mirë në kampionat.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"