Gjoka: Sot treguam karakter, nuk kam pse i përgjigjem Duros

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2016 | 20:52

Gjoka: Sot treguam karakter, nuk kam pse i përgjigjem Duros

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka vlerësuar ekipin e tij se tregoi karakter në përmbysjen ndaj Teutës. Në intervistën e dhënë për “SuperSport” në përfundim të takimit, Gjoka theksoi se ekipi kishte ende punë për të bërë, për sa i takonte agresivitetit. Ndërkaq, ai refuzoi të shprehej rreth çështjes së “sfidës” së lëshuar pak kohë më parë nga ish-trajneri i verilindorëve, Klodian Duro.

ernest gjoka

Për fitoren me përmbysje

“Sigurisht këto janë ndeshje që tregojnë karakter, përqendrim, seriozitet dhe që ne duhet të vazhdojmë me këtë ritëm për arritur aty ku kemi thënë”.

Për reagimin pas golit të pësuar

“Këto janë pjesë të lojës së futbollit, edhe kundërshtari luajti, shpesh me shumë kujdes dhe dinakëri. Në fillimin e pjesës së dytë ne shfaqëm defektin e markimit agresiv. Kukësi e dinte që duhej të ishte më agresiv se kundërshtari për t’i hequr atë armë të fortë që ka Teuta. Kishim ardhur këtu për të marrë trepikëshin”.

Për mungesën e agresivitetit në fillim të ndeshjes

“Skuadrat që kanë pretendime duhet të jenë agresive dhe të tregojnë ato dhëmbët. Mendoj që duhet të rritim agresivitetin që në fillim të ndeshjes dhe të mos e fillojmë gradualisht për të treguar karakterin e personalitetin tonë kur e pësojmë golin”.

Për sfidën e Klodian Duros

“Pse duhet t’i jap përgjigje? Klodi ka të drejtë, ka arritur një sërë rezultatesh me skuadrën e Kukësit dhe kur bën mirë, duhet t’i themi që bën mirë. E kam thënë edhe herë të tjera që nuk kam sfida me kolegë por me veten time, që të ec sa më larg dhe të marr sa më shumë trofe”.

Për lojën e ekipit të tij

“Nuk e di kur kemi pasur më shumë raste se sot. Kemi mbajtur topin dhe kemi luajtur aq shumë sa i kërkoja lojtarëve të kalonin sa më shpejt para. Mendoj që kjo skuadër po rritet çdo ditë. Kam besim te këta lojtarë edhe kur fitojnë, edhe kur bëjnë gabime”.

Për më të spikaturin

“Për mendimin tim, skuadra ka treguar sot dinjitet dhe nëse do të dalim kampion, suksesi është te grupi i përbashkët, nuk është i veçantë”.

Për mungesën e Pero Pejiç

“E gjithë skuadra po pret me padurim Peron që të shërohet. Ne sakrifikuam sot por mos harroni që Pero është lokomotiva e skuadrës sepse është një lojtar cilësor. Jo më kot është në kreun e golashënuesve të Superiores shqiptare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"