Gjoka: Brenda javës na kthejnë celularët, reagimi ndaj Serranit ishte gabim prej nervozizmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2017 | 11:52

Gjoka: Brenda javës na kthejnë celularët, reagimi ndaj Serranit ishte gabim prej nervozizmit

Pjesëmarrja e parë e Kukësit në Ligën e Kampioneve po rezulton një histori me shumë ngjarje dhe e mbushur me dyshime. Përveç asaj që u pa në fushë, klubi është përfshirë në ngjarje që i kanë trazuar ujërat te kampionët. Në një ndërhyrje telefonike për emisionin “Fair Play” në “News 24”, trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka dhënë përgjigje për çdo çështje.

gjoka

Nga konfiskimi i celularëve nga policia austriake në lidhje me dyshimet për trukim në sfidat miqësore te përplasja me mbrojtësin Serran pas sfidës në Moldavi.

“Mendoj se kemi të bëjmë me një gabim. Mund të ketë edhe momente nervozizmi, por tashmë çdo gjë është e qetë. Serran është një nga lojtarët më të mirë që kemi”, ka thënë Gjoka duke iu referuar dyshimeve të drejtuesve të klubit për mbrojtësin, i cili shkaktoi penalltinë në Moldavi. Tekniku sqaroi edhe debatin që patën me policinë austriake për celularët, ndërsa beson se ekipi mund ta kalojë Sherifin.

“Nëse do të shënojmë shpejt dhe do ta vendosim kundërshtarin në një presion psikologjik, atëherë do të ishte shumë mirë. Gjithsesi, ne mundemi të shpresojmë dhe besojmë për ta kaluar këtë tur. Do të ishte e mirë për Kukësin dhe për futbollin shqiptar gjithashtu”, tha Gjoka ndër të tjera në emision.

Klubi ka dyshuar te Serran që shkaktoi penalltinë në Moldavi. Çfarë ndodhi pas sfidës me Tiraspolin dhe si është situata tani në skuadër?

Mendoj se kemi të bëjmë me një gabim. Mund të ketë edhe momente nervozizmi, por tashmë çdo gjë është e qetë. Serran është një nga lojtarët më të mirë që kemi.

Nuk do të ndikojë kjo tek e ardhmja e tij te Kukësi?

Absolutisht jo. Në Shqipëri jemi mësuar që gjërat bëhen vet, përpara se të merret një përgjigje e saktë nga vetë aktorët. Gjithsesi, ne këtu jetojmë dhe punojmë. Mendoj se Serran është një nga futbollistët kryesorë të Kukësit. Ai ka mbështetjen maksimale të presidentit, të të gjithë lojtarëve të ekipit dhe të stafit të Kukësit.

Dëgjova që iu bllokuan celularët, ju si trajner dhe disa lojtarëve. Ai është një mjet privat dhe që ta marrësh duhet një vendim. A kishin autoritetet austriake vendim për t’ua marrë celularët dhe çfarë ka ndodhur tashmë me ato, ua kanë kthyer apo jo?

Ne këtë kërkuam, që të kishim një vendim dhe një avokat që të na sqaronte situatën me telefonat. Dhe u shoqëruam për të dhënë një deklaratë ashtu siç e mendonim ne se si ishte realiteti i ndeshjes. Pasi mbaruam deklaratat, ata na kërkuan që të na merrnim telefonat. Siç e thatë, ai është një objekt privat dhe ne nuk pranuam t’i dorëzonim telefonat.

Këtu nisi edhe debati. Lojtarët nuk pranonin që t’i dorëzonin, pasi deklaronin se është një gjë private. I kërkonim policisë që të na sillte një avokat dhe të na lexonte ligjin që ishte në Austri. Këtë gjë më vonë e sqaroi ambasadori ynë në Vjenë dhe avokati që mori klubi i Kukësit. Në Austri qenka një ligj që, nëse policia i thotë dikujt, jo vetëm me shkrim, por edhe me gojë se duhet ndaluar, atëherë celulari i merret.

Për këtë kishim përplasje pasi në fillim nuk na e sqaruan këtë. Kur na e thanë, atëherë të gjithë i dorëzuan celularët. Avokati ynë po merret me këtë çështje dhe besoj se brenda javës celularët do të na kthehen të gjithëve.

Sa i kënaqur jeni me ekipin në ndeshjen e parë dhe çfarë do të ndryshoni në sfidën e kthimit për të përmbysur rezultatin ndaj Sherifit?

E kishim analizuar deri në detaje kundërshtarin. Patëm mundësitë tona për të shënuar, ashtu siç i kishte edhe kundërshtari. Kishim përballë një skuadër cilësorë dhe shumë mirë të përgatitur. Për sa i përket takimit të kthimit, ne duhet të bëjmë maksimumin. Në lidhje me skemat taktike, ato do të anulohen gjatë ndeshjes. Do ndryshojmë dhe do të japim gjithçka në aspektin taktik.

Duhet patjetër që të shënojmë gol nëse duam që të ecim përpara. Por, nga ana tjetër, duhet të jemi edhe të kujdesshëm. Lojtarët e Sherifit janë shumë të shpejtë. Jo vetëm kaq, por kur luanin me topa të gjatë, e mbushnin zonën me 3-4 lojtarë. Rezultati 1-0 është shumë problematik. Por, ne po marrim masat tona dhe po mundohemi të korrigjojmë ato gjëra që nuk shkuan siç duhet në fazën sulmuese në takimin e parë.

Nëse do të shënojmë shpejt dhe do ta vendosim kundërshtarin në një presion psikologjik, atëherë do të ishte shumë mirë. Gjithsesi, ne mundemi të shpresojmë dhe besojmë për ta kaluar këtë tur. Do të ishte e mirë për Kukësin dhe për futbollin shqiptar gjithashtu.

Klubi ka bërë të ditur se Kukësi po përgatitet fort për 11-metërshat dhe po punon me portierin. Mos ndoshta synimi është që të fitoni 1-0 dhe, më pas, t’ua lini gjithçka penalltive?

Ka qenë një intervistë e imja te “Super Sporti”. Gazetari më pyeti “A jeni duke u përgatitur për penalltitë?”. Dhe i kam thënë që “Duhet të përgatisim çdo lojtar, edhe për penalltitë”. Është shumë e rëndësishme që ne të jemi të kujdesshëm dhe të arrijmë të shënojmë.

Absolutisht nuk duhet të pësojmë, në një kohë që kundërshtari ka shumë cilësi. Por, edhe penalltitë duhet t’i përgatisim dhe studiojmë mirë. Ashtu siç kishim studiuar goditjet e penalltive të tre lojtarëve të Sherifit. Dhe goditjen e 11-metërshit e mori me forcë një futbollist që nuk gjuan penallti.

Do të duhet sërish mrekullia e portierit Koliçi në Elbasan?

Ai ka një vit që është në një formë të jashtëzakonshme dhe ka bërë mirë për skuadrën. Ka qenë një prej shtyllave të forta të ekipit. Dhe në takimin e parë në Moldavi e bëri detyrën shumë mirë duke na dhënë shumë oksigjen. Neutralizoi shumë mirë goditjet e kundërshtarit, sidomos nga jashtë zone. Shpresoj të jetë sërish faktor kryesor për skuadrën. Nëse e bëjnë të gjithë mirë detyrën e tyre si Koliçi, Shameti, Serran, Lena apo të gjithë të tjerët me radhë, kam shumë besim se ne duhet të shpresojmë.

Do ta linit të largohej nga Kukësi për sezonin e ardhshëm?

E drejtë pyetja juaj, por më e rëndësishme është momenti që kemi përpara, ndeshja e së mërkurës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"