Gjithnjë e më larg Apolonisë, Kanarsa nuk duket në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2022 | 14:17

Gjithnjë e më larg Apolonisë, Kanarsa nuk duket në Fier

Juri Kanarsa është gjithnjë e më larg Apolonisë. Shanset për të rinovuar janë aq të vogla, derisa presidenca po kërkon pasardhësin.

kanarsa

Takimi që Koço Kokëdhima ka zhvilluar me Artan Mërgjyshin pak ditë më parë në kryeqytet, nuk ishte pa gjë. E megjithatë, ajo që shton më shumë dyshimet është largimi i Juri Kanarsës.

Atij i ka përfunduar kontrata (e cila ishte deri në mbyllje të këtij sezoni) dhe u bënë ditë që nuk duket në stërvitje. Kjo mungesë mund të jetë e arsyetuar edhe me skadencën e kontratës, por çudia është që skuadra po vazhdon të stërvitet.

Kujtojmë që pak ditë më parë, kreu i klubit u ul me italianin dhe nuk gjetën një akord. Zgjatje kontrate nuk pati, por as “divorc” përfundimtar. E megjithatë, rikonfirmimi i tij duket i vështirë.

Ndonëse, gjithçka mund të ndodhë dhe situata mund të përmbyset në vazhdim. Në Fier mbetën vërtet të zhgënjyer nga verdikti final i sezonit 2021-2022.

E donin aq shumë ngjitjen, por ngecën në ndeshjen e dytë të “play off”-it. E megjithatë, kanë me se të krenohen. Nëse ekipi i parë nuk ia doli, të rinjtë e drejtuar nga Bledar Borova u shpallën kampionë.

“Frytet” e punës vazhdojnë të ndihen, duke dhënë edhe më shumë siguri për të ardhmen. Mbrojtësi Arlind Kurti, mesfushori Enea Topi dhe sulmuesi goleador Erald Maksuti grumbullohen nga Armando Cungu.

Kombëtarja U-19 nuk kishte si të mos hidhte “sytë” te fituesit e titullit për këtë grupmoshë, ndaj ka përfshirë tre lojtarë në listë për miqësoret e ardhshme.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"