Gilman Lika i thotë të gjitha: Persona të fuqishëm rrëzuan Vllazninë, tifozët na shanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2018 | 20:45

Gilman Lika i thotë të gjitha: Persona të fuqishëm rrëzuan Vllazninë, tifozët na shanin

Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, ka thyer heshtjen që mbizotëronte në radhët e lojtarëve kuqeblu pas rënies së ekipit nga Superiorja. Lika, në daljen e tij për mediat, ka marrë përsipër pjesën e fajit që i përket atij, skuadrës dhe stafit teknik. Ai është rrëfyer duke analizuar shkaqet që çuan skuadrën në këtë rënie nga kategoria.

Lika është i mendimit se lojtarët dhe stafi janë përgjegjësit kryesorë të rënies së Vllaznisë nga elita. Në rrëfimin e tij, kapiteni thekson faktin se persona me potencë në Shkodër kanë dashur rënien e Vllaznisë nga Superiorja. Teksa ka vënë theksin tek ajo që pret për ringritjen e Vllaznisë, por edhe për të ardhmen e tij. Gjithashtu, kritikon edhe tifozët që nuk e kanë mbështetur ekipin gjatë sezonit të kaluar. “Me përjashtim të ndeshjes me Kamzën që na kanë mbështetur, në të gjitha takimet e tjera edhe kur kanë qenë të pranishëm në stadium, tifozët më shumë na kanë sharë dhe janë marrë me ne sesa na kanë mbështetur”, thotë ndër të tjera sulmuesi në rrëfimin e tij.

lika

Edhe pse kanë kaluar disa javë, dukeni se nuk ju ka ikur zhgënjimi i rënies së Vllaznisë. Si ndiheni?

Është krejt normale një gjë e tillë. Ishte e dhimbshme për ne dhe për të gjithë shkodranët që e kanë në zemër këtë ekip. Ishte një sezon i dështuar për të gjithë ne. Normalisht, nuk kemi se si të kemi një verë të qetë.

Cilët janë përgjegjësit e kësaj situate?

Kam ndenjur qëllimisht një kohë të gjatë pa folur dhe gjatë kësaj periudhe çfarë nuk kam dëgjuar. Dikush me të drejtë dhe dikush pa të drejtë, kanë folur gjithçka. Unë do të them ashtu sipas meje si është e vërteta. Për të folur për arsyet, ato janë të shumta dhe tepër komplekse, duhet javë që të flasim dhe sërish gjejmë të tjera. Përgjegjësia është e të gjithëve. Por, unë do të nis nga ata që kanë më pak përgjegjësi. Dua që ta nis me tifozët. Të gjithë mund të pyesin se çfarë përgjegjësie kanë ata?! Por, unë do të them se tifozët nuk kanë shumë faj, por kanë përgjegjësinë e tyre. Ata nuk na kanë mbështetur në asnjë ndeshje. Me përjashtim të sfidës me Kamzën që na kanë mbështetur, në të gjithë takimet e tjera edhe kur kanë qenë të pranishëm, më shumë na kanë sharë dhe janë marrë me ne sesa na kanë mbështetur. Ne kishim nevojë për ta. Ata, gjithsesi kanë shumë pak përgjegjësi. Të dytët janë drejtuesit që kanë pasur pjesën e tyre të fajit. Ekipi e ka nisur kampionatin me vetëm një javë fazë përgatitore, që për mua është skandal. Kjo është arsyeja që në fazën e parë kemi marrë vetëm 5 pikë. Por, kjo nuk është sërish kryesorja. Njerëz shumë të fuqishëm në Shkodër kanë punuar shumë për të rënë Vllaznia. Nuk e di cili është interesi i tyre, por për këtë jam 100 për qind i bindur. Faji kryesor është i yni dhe i stafit që na kanë drejtuar ne. Askush nuk mundet ta justifikojë sadopak këtë gjë. Nuk ka asnjë lloj justifikimi. Edhe në këtë pjesë ne do të themi se kemi humbur tetë ndeshje, pra 24 pikë nga gafa personale të njërit apo të tjetrit. Kjo është e pajustifikueshme.

Kush janë ata njerëz brenda apo jashtë klubit që kërkonin rënien e Vllaznisë?

Unë nuk mund të hyj me emra konkretë kur nuk kam faktet në dorë. Por, me aq sa e njoh unë futbollin dhe me aq sa kam unë eksperiencë, jam i bindur se ka pasur njerëz në Shkodër që kanë punuar për të rënë Vllaznia. Nuk e di brenda apo jashtë klubit dhe nuk e di interesin e tyre. Për këtë jam i bindur me 100 për qind. Arsyet mund të dalin më vonë.

Kryebashkiakja Voltana Ademi e ka kaluar topin te ju. A ka pasur një mungesë të financave apo mbështetjes së drejtuesve ndaj jush si lojtarë?

Unë e thashë që aktorët kryesorë jemi ne dhe nuk kemi se si të fshihemi. Kush më pak dhe kush më shumë, kemi përgjegjësitë tona. Pjesa e pagave dihet se kemi pasur tri rroga për të marrë, por nuk e shikojmë si justifikim. Mbërriti momenti që nuk e diskutonim fare këtë punë.

Çfarë ju mungonte që gjërat nuk shkonin mirë?

Nuk mund të flas për gjithë kampionatin. Për fazën e parë dhe të dytë mund të them se ekipi ka pasur një mungesë të theksuar të përgatitjes fizike dhe kemi marrë aq pak pikë. Ndërsa, në dy fazat e tjera ekipi ka marrë pikët e mjaftueshme. Nëse gjatë fazës së parë do të kishim marrë kaq pikë, nuk do të ishim këtu. Përsëri nuk dua që ta lë fajin në këtë pjesë.

Si kanë qenë marrëdhëniet në ekip, staf, me lojtarë. Ka pasur hatërmbetje apo edhe klane në skuadër?

Hatërmbetje normalisht që ka në çdo ekip kur nuk aktivizohesh. Por, nuk dua që të them se ka pasur një mosfunksionim brenda grupit. Unë do të thosha se është e vështirë në një skuadër që të qëndrojnë në kafe 10-12 lojtarë së bashku, siç kemi bërë ne. Dhe kjo tregon se nuk ka pasur probleme në këtë drejtim. Çdo lojtar që nuk luan, ka hatërmbetje. Nuk ka asnjë futbollist që thotë se ai ka të drejtë dhe unë jo.

Janë disa nga lojtarë si Kalaja, që është shprehur se i është ngrënë haku. Ju si kapiten çfarë mund të thoni në lidhje me këtë çështje?

Unë nuk jam personi i duhur për këtë punë. Dikujt i është ngrënë haku, për dikë është vepruar drejt, por unë thashë se nuk jam personi që mund të flas për këtë çështje.

Ka pasur shumë zëra se Lika, Sukaj, Vucaj apo lojtarë të tjerë me peshë, kanë bërë formacionin e Vllaznisë. E vërtetë është kjo?

Nuk ka asnjë shans që një gjë e tillë të jetë e vërtetë. Fjalë të tilla më kanë rënë edhe mua në vesh, por nuk ka asnjë shans, të paktën unë personalisht nuk kam ndërhyrë në asnjë moment në këtë drejtim.

Sa ka qenë përgjegjësia sipas Likës e stafit teknik në periudhën e fundit?

Përgjegjësia më e madhe tashmë bie mbi ne dhe stafin. Ne si futbollistë dhe drejtuesit kanë përgjegjësinë e madhe. Kemi humbur ne të gjithë. Nuk mundet dikush të thotë se unë luajta mirë dhe të tjerët jo. Ne ishim ekipi, ne ishim grupi.

Ish-trajneri Ernest Gjoka u largua dy javë përpara. Që atëherë e menduat veten të rënë?

Ekipi u fut në një presion të madh psikologjik. Frika e rënies u bë shumë evidente në ekip. Ky presion na bllokoi këmbët. Ne e ndienim shumë këtë gjë.

A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje që ju si kapiten, por edhe lojtarët me eksperiencë, t’i thoshit ndonjëherë trajnerit se duhet të ndryshojë formacionin për të sjellë ndonjë gjë të re?

Ne jemi lojtarë dhe në këtë pjesë nuk kam dashur që të futem fare. Por, jam dakord që ne lojtarët më të vjetër është dashur që t’i kishim thënë këto gjëra. Nuk jam marrë me këtë gjë se kishim shumë fjalë në Shkodër që thoshin se Gilmani, Sukaj, Vucaj ndërhyjnë në formacion. Dhe për këtë nuk kam dashur që të ndërhyj për të thënë fjalën time. Për këtë jam i bindur se as të tjerët nuk e kanë bërë këtë gjë.

Trajneri Gjoka pas merkatos së janarit u shpreh se kjo Vllazni ishte ndërtuar keq. Tani shikoni Vllazninë time, por ndodhi e kundërta. Si e komentoni ju këtë?

Të jem realist nuk dua që të them se kush e kishte fajin. Në fazë të parë dhe të dytë kemi marrë pak pikë. Ndërsa, në fazë të tretë dhe të katërt kemi marrë pikët e mjaftueshme. Nuk dua që ta ndaj me pjesë. Si një e tërë fajet janë totalisht tonat.

Çfarë mund t’u thoni tifozëve dhe të tjerëve për ta mbyllur pjesën me sezonin që shkoi?

Unë u kërkoj falje të gjithë atyre që e ndjenë me zemër këtë Vllazni. U kërkoj falje atyre që nga shpirti u kanë dalë lotët për këtë rënie, por jo atyre që kanë bërë “bla bla bla” kundër kësaj skuadre dhe në fund u kënaqën që ra.

Mendoni se skuadra do të rikthehet në Superiore menjëherë pas këtij sezoni?

Kjo do të varet nga organizimi që do të bëhet. Nëse do të vendosen njerëzit e duhur për ta bërë këtë gjë, gjithçka do të funksionojë. Këtë e thashë edhe për vete se nëse nuk ka gjëra serioze, të gjithë do të merren sërish me Likën dhe jo me 18-vjeçarët. Unë personalisht nuk jam për të ndarë lojtarët në të rinj apo të vjetër. Por, Vllaznisë edhe në këto momente i duhen lojtarë cilësorë.

A është e vonuar Vllaznia dhe deri kur do të presë Lika?

Nuk jam vetëm, por janë disa si puna ime që janë në pritje. Unë nuk kam vendosur afate për të pritur. Për mua klubi duhet që të organizohet sa më shpejt në mënyrë që t’u jepet një mesazh edhe lojtarëve, pastaj është tjetër ajo që mund të thuhet se filanin apo filanin nuk e duan në ekip.

Lika, jeni për një trajner shkodran apo joshkodran?

Unë personalisht mendoj se nëse ekipi është nën drejtimin e bashkisë edhe këtë sezon, duhet që të jetë një trajner i huaj. Unë nuk kam asgjë me trajnerët shkodranë apo shqiptarë, por dua që të them se ka shumë ndërhyrje dhe nuk duhet as trajner shkodran dhe as shqiptar. Unë njoh shumë trajnerë shkodranë që janë të zotët që e bëjnë këtë punë. Por, mendimi im është që me këtë organizim me drejtimin e bashkisë këtu mund të punojë vetëm një trajner i huaj.

Në fund, cili është mesazhi që kërkon të përcjellë Lika, si një nga emrat e shumëpërfolur dhe të shumëkomentuar në ambiente të ndryshme për përgjegjësitë e tij te Vllaznia?

Janë përgojuar shumë lojtarë, por unë flas në emrin tim. Kanë qenë trajnerë, ish-futbollistë, specialistë deri edhe tifozë që kanë folur shumë. Unë e mora fajin përsipër dhe kjo as që diskutohet, por dua t’u them diçka atyre që më kanë përgojuar. Nuk e vë në dyshim që ka shumë lojtarë shkodranë që kanë bërë më shumë se unë, por unë do t’u thosha atyre që të shikojnë se në të gjithë historinë e Vllaznisë, që nëse gjejnë një lojtar në rolin tim që ka fituar 7 trofe, ka bërë 25 ndeshje me Kombëtaren, ka luajtur në një kampionat si është Turqia dhe ka fituar rreth 1 milion dollarë nga sporti, atëherë tërhiqem. Nuk duhet që të flitet dhe të përgojohem me gjëra të rëndomta. Si çdo njeri dhe si çdo shkodran, e vuaj rënien dhe mbajta përgjegjësitë e mia, por për gjërat dhe fjalët boshe, ndihem i fyer dhe jo mirë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"