“Gati për titullin me Teutën”, Sebino Plaku: Në garë edhe Tirana me Kukësin, kampionati do të vendoset nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2021 | 21:00

“Gati për titullin me Teutën”, Sebino Plaku: Në garë edhe Tirana me Kukësin, kampionati do të vendoset nga…

Sulmuesi i Teutës, Sebino Plaku, ndien keqardhje që skuadra e tij nuk doli me tri pikë nga Ballshi. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai analizon barazimin ndaj Bylisit, rikthimin e tij si titullar, si dhe vazhdimësinë në kampionat.

Sebino Plaku

Plaku mendon se Teuta i ka të gjitha mundësitë që ta mbyllë këtë sezon si kampione, ndërsa thekson se vendimtare do të jenë përballjet direkte. 35-vjeçari gjithashtu deklaron se në garën për trofeun nuk duhet përjashtuar as Tirana me Kukësin.

Plaku, si ka qenë kjo periudhë për ju? U përfol se ishit i infektuar COVID dhe më pas u dëmtuat. Si qëndron e vërteta?

Po është e vërtetë, ka qenë një periudhë e vështirë për mua, pasi sapo u afrova në skuadër dhe po përshtatesha. Është e vërtetë që kam pasur një dëmtim dhe më duhej të qëndroja për një kohë të gjatë i bllokuar. Ishte një situatë e vështirë pasi të afrohesh në një ekip të ri dhe të ndodhë kështu do ta quaja veten të pa fat, por fatmirësisht tani çdo gjë shkon mirë. Ekipi po ecën shumë mirë dhe më dha mundësinë të isha më i qetë. Tani kam mbi 10 ditë që jam bashkuar me ekipin në stërvitje dhe jam në 100%.

Mund të themi se tashmë jeni në gjendjen tuaj më të mirë dhe do të ndihmoni Teutën në maksimumin e mundësive?

Po, tani mund ta them me plot gojën dhe me shpresë të Zotit kam lënë gjithçka prapa. Tashmë jam gati për ndeshjet e radhës. Kampionati ka ardhur në fazën më kulminante gjë që e bën përgjegjësinë të rritet, dhe mua kjo situatë më motivon edhe më shumë.

E nisët si titullar në Ballsh, keni ndonjë peng për atë rast të humbur? Çfarë mund të bënit më mirë?

Siç e thashë ishte një ndjesi e mirë të kthehesha si titullar. U mundova të bëja më të mirën time në atë ndeshje dhe pse ishte një sfidë shumë delikate për pozitën që kishin dy ekipet, apo për faktin që ishte fushë shumë “e nxehtë”. U mundova të bëja më mirën për ekipin, por nuk është se kam ndonjë peng për raste, pasi këto gjëra ndodhin në futboll.

Sigurisht doja shumë që të kisha shënuar dhe të dilnim me fitore pasi do ishte një hap shumë i rëndësishëm por ashtu ishte e destinuar të dilte ajo ndeshje, sepse po t’i mendojmë si dolën dhe takimet e tjera ishte një javë jashtë çdo parashikim, por jemi të kënaqur pasi mbetemi në të njëjtën situatë dhe çdo gjë do varet nga përballjet direkte.

Kaluat në avantazh, por më pas e pësuat sërish. Pse Teuta e ka të vështirë t’i mbyllë ndeshjet dhe të mos vuajë? Çfarë nuk shkon?

Po, e kemi diskutuar këtë gjë është shumë e saktë pjesa që duhet ta kishim mbyllur ndeshjen ose me saktë duhet ta kishim menaxhuar më mirë.

E kemi analizuar dhe në analizën pas ndeshjes, fakt është se me ekipet e tjera e kemi mbajtur rezultatit dhe kemi krijuar raste të tjera, por këtë herë pjesa e tensionit që u krijua në fushë ndikoi negativisht dhe na bëri të humbisnim fokusin, si dhe u morëm më shumë seç duhet me arbitrin gjë që nuk na shkon përshtat, sepse ekipi i Teutës ka aq shumë kualitet sa që mos të këtë asnjë lloj pritshmërie ndaj arbitrit. Jemi lojtarë me eksperiencë dhe nuk duhet të na ndodhë një gjë e tillë. Tani duhet të nxjerrim mësim dhe kjo do të na shërbejë për të ardhmen.

Në këtë javë gabuan të gjitha rivalet për titull. Mund të jetë ky si ngushëllim për Teutën?

Nuk është se ngushëllohemi, pasi fundja çdo ekip duhet të marrë maksimumin e ndeshjeve të veta, sepse ajo është detyra dhe ajo çka mund të bëjmë ne. Pjesa tjetër nuk varet nga ne. Fokusi ynë do jetë titulli mendoj se gjithçka do kalojë nëpërmjet rivalëve direkt.

Plaku Sebino

Si e shikoni garën për kreun, cila mund të bëjë diferencën?

Mendoj që nuk ka një ekip që të bëj diferencën. Ky sezon e ka treguar që asnjë skuadër nuk i ka të gjithë komponentët për të bërë diferencën,që do thotë eksperienca si të fitohet titulli, menaxhimi i situatave të ndryshme, qofshin ato brenda apo jashtë fushe.

Ne jemi katër ekipe që luftojmë për kreun, por mendoj që në këtë garë duhen përfshirë edhe vendi i pestë dhe i gjashtë. Një ekip kampion e bëjnë shumë faktorë dhe ne kemi avantazhet tona, ashtu sikurse kanë të tjerët avantazhet e tyre. Askush nuk është i kompletuar 100% për të bërë diferencën. Ata që do të dinë ta kapërcejnë situatat mendoj që do shkojnë deri në fund.

Mes Vllaznisë, Laçit dhe Partizanit, cila mendoni se është më e fortë?

Të tria do t’i cilësoja shumë të forta, dhe këtu do të fusja edhe Tiranën me Kukësin, dhe pse janë shkëputur disi. Tirana ka një mundësi në derbi që të katapultohet dhe të marrë situatën nën kontroll. Ky sezon po tregon që me çdo ekip mund të humbasësh apo fitosh.

Luani ndaj Kastriotit, ku ishit në pjesën e parë të sezonit. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Nuk është se kam ndonjë pritshmëri dhe e shoh si ndeshjen e radhës. Kam shumë shokë të mirë në atë ekip dhe kam marrëdhënie të mira me trajnerin. Por, eksperienca na ka bërë që të përballemi shpesh edhe midis miqve siç do të jetë për ta do të jetë dhe për mua. Mendoj që do jetë një ndeshje shumë e fortë dhe shumë e rëndësishme.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"