Gafa e UEFA-s, e bën shkodranin golashënues te Dinamo e Zagrebit, teksa ai luan në… Shqipëri
Siç ndodhin gabimet në fushën e lojës, gabime ka edhe në zyra, dhe kësaj nuk i shpëton dot as UEFA.
(Arif Amuli, në ndeshjen e së dielës ndaj Tiranës U-19)
Vetë organizmi më i madh i futbollit në Europë, njoftonte ditën e djeshme rreth Champions-it të të rinjve, për fitoren 1-0 të Dinamos së Zagrebit përballë Atalantës.
Në faqen zyrtare të UEFA-s, goli i akordohej lojtarit shqiptar të datëlindjes 2001, shkodranit Arif Amuli. Por, pas disa vëzhgimeve, vihet re se futbollisti në fjalë është pjesë e ekipit U-19, Akademia AAS, dhe në fakt vetëm fundjavën që lamë pas, ishte titullar në takimin ndaj Tiranës, që u humb me shifrat 6-1.
E çuditshme se si UEFA ka bërë një ngatërresë të tillë, teksa përveç golit, edhe lojtarin e bën si një futbollist të Dinamos së Zagrebit.
Ndërkohë, vetë faqja e klubit kroat, shkruan se goli i shënuar ka ardhur nga një tjetër lojtar me origjinë shqiptare. Bernard Karrica, ishte pikërisht autori i atij goli, që ka bërë lëmsh edhe UEFA-n.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"