Futbolli dhe plagët reale, ja çfarë pasojash lë Asambleja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2018 | 21:15

Futbolli dhe plagët reale, ja çfarë pasojash lë Asambleja

Organizimi i një institucioni që menaxhon futbollin është i tillë që, një herë në katër vite, delegon të drejtën për të marrë vendime thelbësore. Gjithçka ndodh brenda një katërvjeçari, arritje, suksese, por mbi të gjitha problematika dhe shqetësime reale në futbollin vendës, duhet të reflektohen fort në Asamble. Krahas misionit të saj të parë, që kishte Asambleja Zgjedhore, për të zgjedhur presidentin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, duhej që, më së pari, të diskutonte për problemet që duhen zgjidhur në vazhdimësi.

Gjatë punimeve të Asamblesë së vitit 2018 në Durrës, pati një sërë shqetësimesh thelbësore të futbollit, që nuk u trajtuan fare. Së pari, anëtarësia në Asamblenë e përgjithshme të FSHFsë, është një kriter që nuk përfshin drejt të gjithë anëtarët që meritojnë të kenë votë pasi ka prej anëtarëve “fantazmë”, ndërkohë që të tjerë me të drejtë vote nuk janë të përfshirë.

Asambleja1-665x400

Këlcyra, Sukthi, Mamurrasi, Fieri, Pojani, Poliçani, Vlora, Olimpiku dhe Himara janë anëtarë me të drejtë vote në Asamblenë e FSHF-së, ndërkohë që nuk janë në aktivitet. E jo vetëm kaq, por të tjera klube si Shënkolli, Orikumi, Kevitani, Klosi, Spartaku, Vora, Internacionali dhe Devolli janë prej vitesh në garën sportive të organizuar nga familja e futbollit shqiptar, por nuk përfaqësohen në Asamble me të drejtë vote. Si për ta rënduar situatën, asnjë prej anëtarëve nuk ngriti asnjë diskutim në lidhje me këtë çështje për të bërë të mundur riparimin e situatës për vitet e ardhshme.

Së dyti, i gjithë diskutimi i ngritur së fundmi, qoftë edhe me të drejtë për shoqatat e paregjistruara në gjykatë, mbeti në kuadrin e një trajtimi elektoral. Asnjë prej anëtarëve të Asamblesë, nuk shtroi çështjen e vazhdimësisë dhe se çfarë do të ndodhë me to në të ardhmen. Pra, nëse do të jetë e njëjta situatë në Asamblenë e një viti më vonë, apo do të vendosej një standard se si duhet të jenë në vazhdimësi anëtarët. Pavarësisht gjithçkaje që ndodhi në votimin e asamblesë së fundit, e ardhmja nuk u trajtua për asnjë moment, duke bërë që situata të mbetet po njësoj. Së treti, ndeshje pas ndeshjeje dhe javë pas jave, xhaketat e zeza marrin spaletën e protagonistit. Herë me veprime dhe mosveprime njerëzore, apo herë edhe me tendenca të caktuara ku, në fund të fundit, krahas shëmtisë së futbollit dhe ndikimit të garës sportive, janë klubet dhe anëtarët e futbollit që preken drejtpërdrejt.

Asambleja

Po çfarë u tha në asamble për arbitrat? Çfarë u diskutua? Çfarë u propozua dhe për çfarë ra dakord familja e futbollit shqiptar? Asgjë! Askush prej klubeve anëtare të asamblesë nuk bëri asnjë kërkesë, diskutim, apo propozim për të zgjidhur këtë çështje. Në fund të fundit, vetë lojtarët, trajnerët dhe presidentët janë ankuar çdo javë për vendimet e arbitrave… Së katërti, financat janë një gropë e zezë e futbollit shqiptar. Në futbollin e ditëve të sotme, “fair play financiar” i klubeve është çështja më e diskutuar, ku secili klub duhet të ketë limit shpenzimesh, në një raport të caktuar me fitimet që gjeneron.

Po në Shqipëri? Çfarë ndodh me klubet që, vit pas viti, regjistrojnë humbje financiare. E, ndërsa është vetëm Elbasani që ka deklaruar zyrtarisht falimentin, ka një pjesë dërrmuese anëtarësh që dalin vetëm me humbje dhe vijojnë që të jenë në garë për elitën e futbollit shqiptar. Çfarë vendosi Asambleja për këtë standard? Çfarë ndryshimi do të ketë në të ardhmen, pasi në të vërtetë fjalia e vetme në Asamble që u dëgjua për financa nga anëtarët ishte: Po për Kategorinë e Dytë do të ketë ndonjë lek nga federata, sepse kemi marrë vetëm topa? Së pesti, infrastruktura duhet të ketë një tjetër nivel në vendin tonë.

Duka dhe Fino

Nuk mund të përsëritet rasti i Korabit në vitin e shkuar, e cila gjatë gjithë sezonit i luajti ndeshjet si pritëse në arrati, apo edhe Lushnja e këtij viti që bëri lëmsh Superioren në start, në mungesë të stadiumit. Po Skënderbeu që ka kompleks dhe stadium, apo Tirana gjithashtu çfarë duhet të thonë për standardet? Elita meriton respekt dhe standardi i infrastrukturës duhet të jetë i padiskutueshëm. Së fundmi, Asambleja zgjedhore ka një rëndësi të dyfishtë: Zgjedhjen e presidentit dhe të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv. Mirëpo, kjo e dyta, u braktis dje nga Bashkim Fino dhe stafi i tij, duke mos dhënë mundësinë që KE të votohet në raport të drejtë me preferencat e të gjithë anëtarëve.

Neglizhenca e këtij votimi ishte një nga faktorët kryesorë që të shtatë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv u votëbesuan. Mbarëvajtja e futbollit në të gjithë kategoritë, është pa diskutim varësi e politikave dhe drejtimit të institucionit të futbollit në vend, por kur anëtarët e Asamblesë nuk bëjnë detyrën për problemet nga të cilat shqetësohen po vetë, atëherë a kanë më të drejtë morale për të ngritur zërin?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"