Futboll femra/ Kupa e Shqipërisë, Partizani poker Tiranës në aktin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2024 | 17:34

Futboll femra/ Kupa e Shqipërisë, Partizani poker Tiranës në aktin e parë

Kupa e Shqipërisë në futboll për femra ka zhvilluar dy gjysmëfinalet e vajtjes këtë fundjavë, me Apoloninë dhe Partizanin që tashmë kanë prekur kualifikimin për në finale. Fillimisht të shtunën u zhvillua përballja ndërmjet Apolonisë dhe Gramshit, e fituar nga fieraket me rezultatin dyshifror 12-0, ndërsa të dielën Partizani shpartalloi Tiranën në derbi me rezultatin 4-0.

par

Futbollistet e Partizanit duke festuar fitoren në derbi

APOLONIA-GRAMSHI – Ndeshja e zhvilluar në Fier nuk dhuroi surpriza, me Apoloninë që e ka futur në kasafortë kualifikimin që në raundin e parë. Fieraket nuk falën në shtëpi, duke bërë një paraqitje të shkëlqyer, për ta dominuar në çdo aspekt takimin. Që në minutën e dytë, Sesu hap serinë e golave. Për të vijuar me një tripletë të Valentina Trokës, e kështu fraksionin e parë do ta mbyllnin 6-0, ku dy golat e tjerë u shënuan nga Levenaj dhe Hamonikaj.

Në pjesën e dytë vajzat nga Fieri shënuan edhe 6 gola të tjerë, ku shkëlqeu me tripletë Xhesika Ndoj, diopietë regjistroi Ukwuoma, ndërsa rrugën e rrjetës e gjeti edhe kapitenia Xhulja Xhindole. Kështu Apolonia ka prerë biletën e para për në finale të Kupës, teksa gjysmëfinalja e dytë pritet të jetë vetëm një formalitet për fieraket . Kjo ndeshje tregoi edhe një herë se Apolonia e femrave ka vendosur në garë talente dhe vendosmëri për fitore në çdo ndeshje.

PARTIZANI-TIRANA – Derbi i parë gjysmëfinal i Kupës ka shkuar për Partizanin, teksa të dielën të kuqet shpartalluan vajzat bardheblu me poker golash. Një triumf 4-0 që dëshmon më së miri superioritetin e Partizanit në këtë takim. Askush nuk e besonte që Partizani të fitonte derbin ndaj Tiranës me një rezultat të thellë 4-0, duke parë ecurinë mjaft të mirë të skuadrës bardheblu gjatë këtij sezoni.

Megjithatë, ky ishte vetëm akti i parë, ndërsa Tirana shpreson te një përmbysje e çmendur. Skuadra bardheblu në pankinë kishte zëvendëstrajneren Emirjeta Ndoci, në mungesë të Alpin Gallos. Derbi nisi bukur për Partizanin që luan me kombinime, teksa të gjitha repartet veprojnë në mënyrë perfekte. Një dopietë e Kesjana Goros, dhe dy golat e tjerë shënuar nga Egzona Gashi e Mesuara Begallo, bënë të mundur që Partizani ta shohë veten shumë pranë finales së parë në historinë e klubit.

Rezultati mund të ishte dhe më i thellë, nëse Mesuara Begallo nuk do ta shpërdoronte 11-metërshin, ku topi preku shtyllën pingule e përfundojë jashtë. Fundjavën e ardhshme do të luhen ndeshjet e kthimit, ku me shumë gjasa do të kemi një finale mes Apolonisë dhe Partizanit.

aa

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"