Fushë e degraduar, Kukësit nuk i ndizen as dritat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 18:14

Fushë e degraduar, Kukësit nuk i ndizen as dritat

Sezoni 2023-2024 duket se është i gjithi për t’u harruar për Kukësin, me vetë rezultatet që e tregojnë këtë. Prej disa javësh janë të zhytur në fundin e tabelës dhe prej datës 27 tetor të vitit të kaluar nuk njohin shijen e fitores, praktikisht katër muaj.

KUKES ARENA 1

Një situatë që në kampin blu nuk është përjetuar ndonjëherë më herët në elitë, pasi gjithnjë kanë qenë në rangun e pretendentëve.

Mirëpo, rezultatet e koleksionuara dhe gjendja jo e mirë në klasifikim, ka pasur ndikim edhe më të madh në neglizhencën për infrastrukturën në klub. Me pak fjalë, duket se rezultatet e dobëta kanë hequr vëmendjen nga stadiumi, e cila është lënë pas dore.

DEGRADIMI I FUSHËS – Stadiumi “Kukës Arena” është ndër më të fundit që i është kryer një rikonstruksion i plotë, duke e kthyer në parametra bashkëkohorë. Mirëpo, pak e nga pak duke se edhe ky impiant po shkon drejt degradimit, të paktën sa i përket terrenit.

Në ndeshjet e fundit që Kukësi ka luajtur në shtëpi, ka rënë në sy një terren jo i përshtatshëm dhe në sinkron me investimin që është bërë, duke ndikuar jo pak edhe në cilësinë e skuadrave në fushën e lojës.

Diçka e tillë u vu re edhe në përballjen e fundit, atë midis Kukësit dhe Erzenit, me lojtarët që shfaqën probleme, në një kohë që edhe trajnerët në të kaluarën janë ankuar shpesh për cilësinë e saj. Bëhet fjalë për një terren që nuk i ka mbushur ende dy vite që nga inagurimi i tij.

MISTERI I NDRIÇIMIT – Një mister më vete është edhe ndriçimi. Kukësi e inauguroi stadiumin më 23 prill të vitit 2022 në një ndeshje me Laçin, e cila u mbyll në barazim pa gola.

Një ditë feste dhe me një stadium të mbushur plot e përplot, ku nuk mungoi as kryeministri Edi Rama. Sfida u luajt në orën 20:00 nën dritën e prozhektorëve, për të nënkuptuar se bëhet fjalë për një impiant të kompletuar.

Mirëpo, që nga ajo kohë, me mbarimin e ndeshjes, dritat u fikën për të mos u ndezur më. Edhe pse Kukësi ka pasur mjaft ndeshje të rëndësishme në shtëpi dhe nuk ka munguar interesimi për t’u luajtur në mbrëmje, nuk ka zhvilluar më asnjë ndeshje nën dritën e prozhektorëve.

Dihet që takimet e zhvilluara në oraret e mbrëmjes thithin zakonisht një numër më të konsiderueshëm tifozësh. Mund të thuhet se mbetet një enigmë kjo pjesë me ndriçimin, ku nuk përjashtohet mundësia që ky sistem të jetë për momentin jashtë funksionit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"