Formulës 1 i mungon Shumi, ende nuk është gjetur pasardhësi i tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2023 | 16:03

Formulës 1 i mungon Shumi, ende nuk është gjetur pasardhësi i tij

Si sot dhjetë vite më parë do të regjistrohej aksidenti tragjik që tronditi botën e sportit, teksa gjatë skijimit në Meribel, Mikael Shumaker do të rrëzohej, duke pësuar lëndime të rënda në kokë.regg

Ishte data 29 dhjetor 2013, kur jeta e legjendës së Formulës do të ndryshonte tërësisht, ndërsa që prej asaj dite informacionet për gjendjen e tij shëndetësore kanë qenë shumë të pakta, kjo për shkak të zgjedhjes së familjes që ka kërkuar ruajtjen e privatësisë. Një dekadë pas aksidentit në alpet franceze, cila është trashëgimia e Mikael Shumakerit dhe mbi të gjitha, çfarë ka ndodhur me të me kalimin e kohës? Çfarë ka mbetur prej tij pas një dekade të tërë? A e ka marrë dikush në posedim fronin që mbante Shumi?

FRONI – Në hapësirën e një dekade (ose më pak, në shtatë vjet) Luis Hamilton përfundoi koleksionin e tij të titujve botërorë, një cikël i cili filloi në 2008-ën, një vit para kthimit të Shumakerit te Mercedesi, duke barazuar Mikaelin me shtatë tituj kampionë, përpara se të ndalej në momentin më të mirë nga Maks Vershtapen. Shanset e “Sir” Luisit për të kaluar Shumin duken shumë të kufizuara. Tashmë skenën e ka “vjedhur” piloti holandez i Red Bullit, i cili vijon të vendosë rekorde, por a do të jetë në gjendje Vershtapen (tri herë kampion bote) të mbërrijë deri te titulli i tetë kampion në F1? Sigurisht për Vershtapen nuk do të jetë gjithçka e thjeshtë si në këtë sezon, por ai i ka të gjitha “kartat” dhe njëvendëshen në rregull për të provuar. Gjithsesi, në garë mbetet edhe Hamilton, i cili pret një Mercedes më konkurrues në vitin e ardhshëm.

TRASHËGIMTARI BRENDA FAMILJES – Mik, djali 24-vjeçar i Shumakerit, i cili ka qenë i pranishëm në Meribel gjatë aksidentit, garoi në Formula 1 me skuadrën Haas në sezonet 2021 dhe 2022, megjithatë pa mundur që të bëjnë diferencën në pistë. Mik është ende piloti i tretë i Mercedes (pasi ka qenë një sezon për Ferrarin) dhe nuk është e paimagjinueshme ta shohim sërish në F1. Ndërkohë, Mik po mban formë me skuadrën Alpine në Kampionatin Botëror të “WEC”- së, duke preferuar më mirë një rol startues në një ekip zyrtar.

FERRARI – Gjithashtu edhe në Maranelo janë në pritje të pasardhësit të Shumakerit, të një piloti që të jetë në gjendje të ngjisë “kokëkuqen” në majën e Formulës 1. Pesë tituj radhazi me Ferrarin, midis viteve 2000 dhe 2004. Përtej atij suksesi të shkëputur në vitin 2007 nga Kimi Raikonen, te Ferrari vijojnë të jenë në pritje të titullit dhe të një cikli fitues që mungon prej 20 vitesh. Në këtë periudhë kohore, ata që kanë provuar kanë qenë Felipe Masa, së bashku me vetë Mikael Shumakerin në sezonin e fundit të tij në Maranelo. Për të vijuar me Sebastian Fetelin, Fernando Alonson dhe në kohët e fundit me Sharl Lëklerkun dhe Karlos Sainzin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"