Flet legjenda Kushta: Vazhdon nostalgjia për Flamurtarin e madh! Ky aktual, të shkojë te shokët e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2024 | 18:22

Flet legjenda Kushta: Vazhdon nostalgjia për Flamurtarin e madh! Ky aktual, të shkojë te shokët e tij

Sokol Kushta mendon se suksesi i Flamurtarit do të varet nga afrimet e fundit. Duket se nuk e ka “ngrohur” shumë ekipi i ndërtuar në verë dhe shpresat më së shumti tashmë i ka te merkatoja.

sokol kushta

Për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat thekson se ndeshjet në vijim do të tregojnë se sa aktive është skuadra. Shpreson që kuqezinjtë të shkojnë sa më shpejtë aty ku e kanë vendin. “Të them të drejtën unë Flamurtarin e kam ndjekur në largësi. I kam parë edhe nga media blerjet e fundit. E them me shumë sinqeritet se ky është një moment që do të tregojë se sa aktive do të jenë blerjet për fillimin e kampionatit. Nëse blerjet janë pozitive dhe aktive, them se kjo fazë do të jetë ndryshe për skuadrën. Unë dëshiroj dhe shpresoj që Flamurtari të shkojë ku e ka vendit, te shokët e tij”, shprehet fillimisht ish-sulmuesi.

FLAMURATRI I MADH – Flamurtari i viteve të Sokol Kushtës, duket se nuk ka konkurrent dhe se Vlorës nuk i ka ardhur ende një skuadër e tillë. “Janë shumë që nuk e kanë idenë, por thjesht dëgjojnë të flitet për Flamurtarin e madh. Ai u bë nostalgji për të gjithë dhe nostalgjia vazhdon… Ai ekip ka lënë gjurmë që nuk fshihen dot. Është një video që është hedhur së fundmi në internet nga Spanja. Është ndeshja Barcelona-Flamurtari… Nëse e shikoni, ju do të kuptoni që çfarë është ajo nostalgji. Është kot apo vërtet ky ekip ka lënë shenja të tilla”, thekson 59-vjeçari, që mendon se skuadra është ende shumë larg asaj që duhet të jetë.

QYTETI EUROPIAN – Sokol Kushta vlerëson Vlorën “Qyteti Europian i Sporteve”. Legjenda vlonjate thekson, se mungesa e terreneve është shqetësuese, por mendon se projektet në vijim do t’i japin zgjidhje. “Sporti nuk mund të punojë vetëm me lekët e bashkisë. Bashkia duhet të jetë një koordinator i mirë me bizneset. Duhet të punojë me donatorë. Sportet nuk mund t’i mbajë gjithmonë bashkia. Si këshilltar bashkiak unë shikoj që fondi i akorduar këtë vit është më i madh për të gjitha disiplinat sportive. Nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, por është një buxhet më i mirë duke qenë se Vlora është ‘Qyteti Europian i Sportit’.

Mangësia janë terrenet. Nëse ky interes që ka kryetari i bashkisë, do të përputhet edhe me terrenet sporti do të jetë edhe më lartë. Gjëja më pozitive, krahas turizmit, është që Vlora po merr zhvillim në sport dhe në terrene që do të vijnë nga projekti ‘Vlora Sport’. Duket se kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, sportit po i jep një rëndësi të madhe. Është gjë pozitive për të gjithë. Sporti është shëndet dhe edukatë. Vlora ka qenë mbrapa me terrenet dhe kulturën sportive, por po merr zhvillim çdo gjë. Ky vit kjo po tregon impenjimin e të gjitha strukturave”, përfundon Kushta.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"