Flamurtari rikuperon 5 lojtarë, por një titullar humbet Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 11:49

Flamurtari rikuperon 5 lojtarë, por një titullar humbet Korabin

Nuk ka pushim për Flamurtarin. Të dielën, në orën 15:00, kuqezinjtë do të luajnë në fushën e tyre finalen e parë të “play off”-it me Korabin.

hgcj

Pas ndeshjes me Besën, që ishte thjeshtë për statistikë dhe për t’u dhënë minuta të rinjve dhe lojtarëve të stolit, të dielën duhet të tregohen “dhëmbët” për objektivin madhor, ngjitjen në Superiore. Duket se vlonjatët po “shërohen” nga dëmtimet e shumta, por mbetet për t’u parë sesa gati do të jetë skuadra.

Trajneri Eqerem Memushi në javën e fundit ka marrë sinjale pozitive nga pesë lojtarë. Mbrojtësi Fjoralb Deliaj, që pati probleme me kaviljen është rikuperuar dhe po stërvitet me ekipin, madje mori minuta ndaj Besës. Mesfushori Lancinet Sidibe, që pësoi një tërheqje, është gati. Problemin e ka lënë pas edhe Gersi Diamanti. Erion Vucaj që mungoi disa javë pas dëmtimit të ligamentit të brendshëm dha shenja pozitive me Besën. Fabio Hasa pati probleme me ligamentin dhe tani është në dispozicion të trajnerit Memushi.

SHQETËSIMI- Shqetësimi nga dëmtimet vijon të jetë i madh. 3 titullarë vijojnë të shqetësojnë jo pak stafin dhe trajnerin Eqerem Memushi. Antoni Beji me gjasa e ka mbyllur sezonin, pasi nuk rikuperohet as për finalen me skuadrën e Superiores, nëse kalohen me sukses dy ndeshjet e “play off”-it. Ai ka një degjenerim të meniskut dhe ka nisur fazën riaftësuese dhe bën vetëm vrapime individuale. Edhe Vasil Shkurtaj, që dëmtoi muskujt e shpejtësisë, nuk e kap dot ndeshjen me Korabin. Ai po vijon seancat e fizioterapisë, si dhe ushtrimet rehabilituese në palestër. Probleme ka edhe për fantazistin Indio Oliveira, i cili dje i është bashkuar grupit dhe mund të marrë minuta ndaj dibranëve.

STËRVITJA– Flamurtari vijon me ritme përgatitjet për Korabin. Skuadra ka zbritur menjëherë në fushë dhe nën drejtimin e trajnerit Memushi po përgatiten për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Në fushë me uniformë ka zbritur dje edhe drejtori Alfred Ferko, që po i jep një dorë skuadrës për objektivin. Ai po qëndron përkrahë Memushit, bashkë me Luan Birçen, Lejdi Liçajn dhe Erion Dinen. Ndërsa Edmond Liçaj që konsiderohet edhe si “truri” i stafit teknik, qëndron në distancë dhe ndërhynë ndonjëherë më këshillat e tij. Përpara nisjes së seancës, trajneri Memushi shihet të diskutojë me Liçajn.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"