Flamurtari, kapitenia Myrto: Titullin e kemi detyrim moral për Viron Toskën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 21:51

Flamurtari, kapitenia Myrto: Titullin e kemi detyrim moral për Viron Toskën

Flamurtari i femrave në dekadat e fundit, siç dihet, i ka dhënë tonin basketbollit shqiptar, me trofe të shumtë të fituar. Skuadra vlonjate kryeson me pikë të plota edhe kampionatin aktual, ku synon titullin e 23-të kampion në historinë e klubit. Kapitenia e vlonjateve, Artemida Myrto, në një intervistë për “Panorama Sport”, rrëfen ecurinë e skuadrës bregdetare në këtë sezon. Myrto thotë se fitimi i titullit është një detyrim moral, në shenjë nderimi për ishtrajnerin legjendar të Flamurtarit, Viron Toskën, i cili u nda nga jeta disa muaj më parë, pas infektimit me COVID.

18450052_10212570222511751_1583180956_n-470x312

Artemida, kemi një Flamurtar që vijon të njohë vetëm fitore në kampionat. Si do ta komentoni sezonin?

Ky është një sezon i pazakontë për vetë faktin që dhe situata në të cilën ndodhet i gjithë njerëzimi është e tillë. Megjithatë, kryesorja është që u lejua të luhej, edhe pse vendet e tjera filluan shumë më herët se ne. Kjo situatë ka ndikuar në nivelin e kampionatit, pasi një periudhë prej gati një viti ndërprerjeje sigurisht që reflektohet në fushën e lojës. Gjithsesi, Flamurtari kryeson me pikë të plota dhe nuk njeh asnjë humbje.

Cila është pika më e fortë e skuadrës suaj?

Ka disa faktorë që e kanë bërë Flamurtarin të jetë në këtë pozicion. Dua të përmend këtu përbërjen e ekipit, ku dominojnë vajza shumë të reja në moshë, të cilat me energji e shumë pasion i japin ritëm të lartë lojës. Një tjetër armë e fortë është kolektiviteti dhe fryma e grupit, të cilat kanë qenë traditë te ne dhe vazhdojnë po njësoj. Por, ajo që është me kryesorja dhe që na motivon maksimalisht të gjithëve është detyrimi moral që kemi ndaj ish-trajnerit tonë të ndjerë Viron Toska. Ai gjithmonë i kishte objektivat të qartë për fitoren e trofeve dhe ne do ta vazhdojmë atë traditë që ai e nisi para 15 vitesh.

Sa ndikojnë lojtaret huaja në përmirësimin e cilësisë së basketbollit?

Kuptohet që për situatën në të cilën ndodhet basketbolli në Shqipëri, ku mungon elementi i ri, na duhej të përforcoheshin me lojtare të huaja për të arritur objektivat tona. Ato janë vajza të reja dhe po ndikojnë shumë pozitivisht, jo vetëm në rezultatet e ekipit, por dhe në rritjen e cilësisë së pjesës tjetër të vajzave vlonjate që ne kemi. Shkëmbimi i eksperiencave ka qenë gjithmonë i vlefshëm.

Jeni pro apo kundër kufizimit të numrit të lojtareve të huaja?

Si ekip gjithmonë kemi qenë për kufizim të lojtareve të huaja në fushë. Kjo për t’u dhënë më tepër mundësi lojtareve shqiptare të luajnë, pasi dihet nga të gjithë që sportist të mirë të bën vetëm fusha dhe marrja e përgjegjësive. Por, kjo i takon kryesisë së federatës ta vendosë, ne i kemi bërë gjithmonë propozimet tona.

Jeni e kënaqur me paraqitjen tuaj në aspektin personal në këtë sezon?

Për sa i përket aspektit personal, asnjëherë nuk kënaqem nga vetja, pavarësisht se renditemi të parat. Gjithmonë ka diçka për të rregulluar. Pas çdo ndeshjeje përpiqem të analizoj defektet e mia dhe çfarë duhet të përmirësoj për ndeshjen e radhës. Gjithsesi, më kënaq fakti që jemi në krye. Vend për më mirë ka gjithmonë.

Si e keni përjetuar humbjen në finalen e Kupës ndaj Partizanit?

Si karakter, e kam të vështirë ta pranoj humbjen e një ndeshje dhe jo më humbjen e një trofeu. Me ka lënë shije të hidhur ajo ndeshje sepse u ndërthurën disa gjëra. Ne e nisëm keq lojën, por dolëm në lojën tonë në periodën e tretë dhe arritëm të rikuperonim dhe të kalonim në avantazh. Por, kur menduam që loja mbaroi dhe ne fituam, vjen një bilbili nga gjyqtari, i cili akordoi një faull kur koha e rregullt kishte mbaruar. Një ndeshje aq të rivalizuar sa ajo, e ndajnë detajet e vogla dhe nuk duhet kurrsesi ta vendosin arbitrat. Nuk dua të justifikoj askënd, për më tepër veten time që u bëra protagoniste e atij momenti, por në raste të tilla është e pafalshme që dikush të vendosë fatin e një finaleje në mënyre të njëanshme. Gjithsesi, dhe ne kishim gabimet tona, të cilat i analizuam dhe shpresojmë t’i përmirësojmë në vijim. Megjithatë, jemi shumë të motivuara dhe të mbështetura maksimalisht nga dy trajnerët tanë Erion Hoxha dhe Vladimir Mustafaraj, së bashku me mbështetjen e plotë të drejtorit të klubit Klevis Kaso. Së bashku do t’ia dalim!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"