Flamurtari bën prova me tifozët për “ole vlonjate”, Idrizi: Me Gjokën dhe çetën e banditëve…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2017 | 13:49

Flamurtari bën prova me tifozët për “ole vlonjate”, Idrizi: Me Gjokën dhe çetën e banditëve…

Flamurtari bën “prova” me tifozët. Tribuna qendrore nuk do të jetë në shitje për ndeshjen me Vllazninë, ndërsa në të do të vendosen vetëm nxënës të shkollave të mesme të qytetit. Këtë masë e ka marrë administratori Sinan Idrizi, i cili për “Panorama Sport” tha se modeli i tij nuk është gurë e gjakosje lojtarësh në fushën e lojës. Idrizi u bën thirrje edhe tifozëve të grupimit “Flota Kuqezi” që të mos i kalojnë limitet. “Tribuna këtë herë do të jetë vetëm për gjimnazet e Vlorës.

Ultras Flamurtari 1

Nuk do të jetë në shitje, por do të ketë mënyrë tjetër organizimi. Nuk është një protestë, por një lloj ridimensionimi i tribunës. Nuk fyej askënd kur them që, për këtë herë të paktën, do të shohim diçka ndryshe. Do të jenë nxënës nga shkollat e mesme publike dhe jopublike të Vlorës të viteve të treta dhe të dyta që do të vendosen në tribunë, si dhe femra.

Pra të jenë një grup të rinjsh dashamirës të futbollit që të dëgjojmë një ‘ole vlonjate’ të futbollit në tribunë. Kjo do të jetë edhe në vazhdimësi. Edhe pjesën e lozhave, unë këtë vit nuk e kam nxjerrë në shitje. Unë nuk kërkoj që stadiumi të jetë skenë teatri, pasi është stadium, por në këtë farë mënyre ne do të jemi më të civilizuar. Në tribuna, të paktën. Do të jetë një eksperimentim. Nesër (sot) unë do të jem edhe me djemtë e ‘Flotës Kuqezi’.

Flamurtari tifozet

Duhet të krijojmë një bashkëpunim thelbësor edhe te detajet më të thjeshta. Emocioni ynë vlonjat nuk duhet të kalojë limitet në dëm të ekipit. Unë e kuptoj emocionin e të gjithëve, pasi jam vetë pjesë e tij, por të jemi më të limituar. Modeli im nuk janë fushat e lojës që hidhen gurë e gjakosen lojtarë, as fyerje pa limit. Me kore e me këto është një pjesë që Vlora e ka ezauruar, nuk është më pjesë e atij stadi dhe do të ketë një standard tjetër, jo vetëm në futboll”, u shpreh Idrizi.

flota kuqezi

GJOKA

Ernest Gjoka do të rikthehet në Vlorë të shtunën. Por, trajneri aktual i Vllaznisë, së shpejti do të përballet në gjyq me vlonjatët. “Nuk kam asnjë koment për të bërë për trajnerin e Vllaznisë. Për rastin ‘Gjoka’ do të kemi një çështje penale shembullore.

Ministria e Financave për këtë çështje na ka kthyer përgjigje zyrtarisht për atë që ne kemi kërkuar të interpretohet. Pjesa tjetër pastaj është që Gjoka ka qenë një trajner te Flamurtari. Ka ngritur një kupë te ne dhe është nga ata që kanë shkruar emrin si trajner shumë i mirë te Flamurtari (qesh…) dhe aty ku ka shkuar ka bërë punën e tij.

Gjoka dhe Selenica

Më pastaj, të tjerat nuk më interesojnë. Çështja ‘Gjoka’ do të jetë në vijë demarkacioni i ilegalitetit. Ne në gjykata do të kërkojmë ndëshkim penal, moral, material dhe çfarëdolloj tjetër, për atë që me vetëdije, kjo çetë dhe kjo bandë ka ndërtuar në mënyrë të organizuar kundër Flamurtarit, në kurriz të ligjeve shqiptare.

Pra, me vetëdije të plotë. Ju do të shikoni gjyqet ndaj të gjithë grupit të këtyre që na kanë kërcënuar me heqje pikësh, me kërkesën për mosregjistrim të Flamurtarit dhe të tjera si këto. Deri në mars, duroni! Nuk e kam kërcënim këtë. E dini ju që në një anije që është duke u mbytur, se çfarë bëjnë minjtë në momentin që ajo fundoset?

Idrizi

Flas për anijet e transportit, jo për ato me pasagjerë. Unë e di që kapiteni i anijes do të rezistojë deri në fund, sepse kështu është ligji i detit, që do të mbytet bashkë me anijen. Por minjtë çfarë do të bëjnë? “Ç’është kjo histori gjyqtarësh? Jo, mo jo!

Edhe këta gjyqtarë janë rreshtuar dhe është problemi i rreshtimit. Do të rreshtohen deri në atë kohë. Nuk do të ketë asnjë lloj mënyre që të na ulë ne ritmin e denoncimit të ilegalitetit. Kjo është vija jonë ndarëse, mes nesh dhe atyre”, u shpreh administratori.

VLLAZNIA

Me batutë, administratori Sinan Idrizi tha se Flamurtari do të fitojë me Vllazninë me mbi dy gola. “Çfarë rezultati pres unë? Është e para herë që unë do të parashikoj një rezultat. Të paktën do të fitojmë me mbi dy gola. Nuk e di pse e kam një parandjenjë, pasi zakonisht nuk kam të tilla për futbollin.

Vllaznia

Mos ta marrin bastexhinjtë për bast këtë që ka thënë presidenti apo administratori. Jo, thjesht, është një shaka. Kemi shumë respekt për ekipin e Vllaznisë. Është një nga majat e futbollit shqiptar. Një qytet i lidhur me futbollin dhe me shumë qytetari. Çdolloj rezultati është i hapur në fushë”, tha Idrizi, ndërsa për ecurinë e ekipit deklaroi.

“Në ndryshim nga kohët para ndërtimit të ekipit, në ndryshim nga skepticizmi i komentuar gjatë për shkak të përbërjes, ekipi më duket se është në rrugën e duhur. Ky sukses është fryma e grupit, e ekipit. Kanë arritur maksimumin e mundshëm me këtë që kanë”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"