Fitorja ndaj Kukësit, Ndreu tregon “sekretin” e Kamzës dhe pengun e merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2018 | 16:26

Fitorja ndaj Kukësit, Ndreu tregon “sekretin” e Kamzës dhe pengun e merkatos

Kamza nuk mund të quhet më skuadra surprizë e kampionatit pas asaj fitoreje të marrë në transfertë ndaj Kukësit. Megjithatë, në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Ramadan Ndreu tregon vështirësitë dhe punën e madhe që i duhet të bëjë çdo ditë për të motivuar lojtarët e tij.

ramadan ndreu

Profesor, një fitore surprizë ndaj Kukësi, por cili është sekreti i Kamzës?

Ne jemi një skuadër e ndërtuar rishtas dhe duhet shumë motivim për lojtarët dhe në çdo stërvitje një punë e madhe që të kuptojmë se jemi debutues në Superiore dhe duhet të japim maksimumin. Këtë e kemi bërë çdo ditë, çdo analizë dhe çdo ndeshje. Natyrisht që kemi pasur mundësi të bëjmë edhe më shumë, por jemi të kënaqur edhe me këtë që kemi arritur. Në fazën e parë kishim lojtarë pak në moshë dhe në merkato afruam lojtarë të rinj, që do të na ndihmojnë shumë në vazhdim të kampionatit.

Keni ndonjë peng nga merkato në lidhje me ndonjë lojtar që e dëshironit, por nuk arritët që ta bënit pjesë të ekipit tuaj?

Kemi pasur në përbërje një prej qendërmbrojtësve më të mirë në Shqipëri, siç ishte Fushtar, dhe largimi i tij na ka lënë një “gropë” shumë të madhe. Jemi duke u munduar që të bëjmë diçka aty, por nuk kemi arritur ende që ta zëvendësojmë atë lojtar. Pra, pengu është pikërisht Fushtar dhe po ta kisha në qendër të mbrojtjes, do të isha shumë i qetë. Edhe lojtarët që janë po bëjnë mirë, por ai kishte cilësitë e duhura për atë pozicion.

Kamza e këtij kampionati na kujton Luftëtarin e sezonit të shkuar. Mendoni se mund të bëni diçka më shumë se gjirokastritët në këtë sezon?

Luftëtari kishte një specifikë ndryshe, pasi ka 2-3 vite që ka të njëjtët lojtarë. Dhe, është e njohur në futboll që grupe të tilla futbollistësh, që rriten bashkë, t’i japin skuadrës sukses dhe Luftë- tari arriti atë që të gjithë e dimë. Për mendimin tim, sot është, pra, një prej ekipeve më të mira, edhe pse është përforcuar me lojtarë cilësorë. Kështu që, edhe ne, nëse e mbyllim në këto pozicione, do të jemi shumë mirë. Vitin që vjen, mendoj se do të jemi edhe më mirë, pasi do të kemi bazën e ekipit dhe do të bëjmë riparime të vogla.

Do të thotë se për momentin nuk mendoni për Europën?

Kryesorja për ne është që të mos kemi presion. Ne jemi ekip i brishtë dhe kur presioni është në mes kthehet në problem. Kështu që duhet të marrim maksimumin në çdo ndeshje që na ka mbetur pa presion. Do mundohemi të marrim pikët maksimale dhe kryesorja është të sigurojmë mbijetesën.

Pas Kukësit është Skënderbeu, duhet të presim një tjetër surprizë?

Është ndeshje shumë e vështirë dhe ne do të mundohemi që të japim maksimumin, pa harruar se kemi përpara një skuadër gjigante për Shqipërinë, që ka treguar vlera edhe në Europë. Rezultati pozitiv nuk është i pamundur, por është ndeshje shumë e fortë.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"