Fitorja e Tërbunit/ Dervishi: Agostineli bëri kryqin, shansi i artë për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2016 | 11:24

Fitorja e Tërbunit/ Dervishi: Agostineli bëri kryqin, shansi i artë për titullin

Fitorja e paparashikuar nga askush e Tërbunit në Korçë ka bërë që mbrëmja e së shtunës të jetë entuziaste në kampin e kuq. dervishiPartizanit i jepet sërish një mundësi për të ngushtuar diferencën me Skënderbeun, dhe, sipas drejtorit të të kuqve, Dritan Dervishi, sot është dita për të vërtetuar se sa të denjë janë “demat” për të fituar titullin kampion.

Dervishi për “Panorama Sport” tregoi edhe emocionet e përjetimit të golit të tretë të Tërbunit, ku ai dhe trajneri Agostineli ishin rrugës duke u kthyer nga Durrësi. Trajneri italian ka mbetur i habitur nga rezultati final, gjë të cilën e tregoi edhe me veprimet që bëri.

“Pas përfundimit të seancës stërvitore, së bashku me trajnerin Agostineli shkuam në Durrës për të ndjekur ndeshjen Teuta-Kukë- si. U larguam para kohe nga stadiumi dhe ndeshjen po e dëgjonim gjatë rrugëtimit për në kryeqytet. Në momentin që Tërbuni shënoi golin e tretë, unë bërtas gol dhe i bie me dorë timonit të makinës. Në këtë moment trajneri Agostineli, i cili ndodhej në sediljen e parë të makinës, vë duart në kokë, pasi mendoi se golin e shënoi Skënderbeu. Po unë i them se shënoi Tërbuni.

Ai i habitur bëri kryqin dhe më tha: ‘Nesër (sot) nuk mund të dështojmë për asnjë arsye’. Sigurisht ishte një rezultat i favorshëm për ne, që nuk duhet shpërdoruar”, tha fillimisht Dervishi.

Shansi i titullit

“Fitorja e Tërbunit në Korçë duhet marrë si një reklamë për kampionatin e futbollit shqiptar, pasi shpeshherë është përbaltur. Ky rezultat tregon se sa i fortë është kampionati dhe që duhet vlerësuar çdo kundërshtar. Partizani sot ka një shans të artë për të hyrë fuqishëm në luftën për titull. Sot është rasti për të treguar se sa të denjë jemi për të dalë kampion në fund të sezonit.

Fitorja e Tërbunit na jep një shans të mirë, por sërish nuk mbaron këtu, pasi mbeten edhe gjashtë ndeshje për t’u luajtur. E kemi thënë më parë dhe i qëndrojmë se titulli kampion do të zgjidhet në javën e parafundit në Korçë. Ekipi sot duhet të respektojë mundin dhe kontributin e brezave që e kanë veshur fanellën e kuqe prej 70 viteve, si dhe për të justifikuar mbështetjen e tifozërisë sonë, e cila pret prej 23 vitesh që të shpërblehet me një titull kampion, përfundoi drejtori i të kuqve.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"