Firmos ish-mbrojtësi i Partizanit, Dalipi shtrydh Tomorin: Do të shtojmë edhe më shumë cilësinë në organikë, po bisedojmë me emra të njohur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2021 | 14:44

Firmos ish-mbrojtësi i Partizanit, Dalipi shtrydh Tomorin: Do të shtojmë edhe më shumë cilësinë në organikë, po bisedojmë me emra të njohur

Në Berat e marrin me vrull, pasi duan të fitojnë kohën e humbur. Kaosi 24- orësh është hedhur pas krahëve dhe tashmë e gjithë vëmendja, te stërvitja dhe merkatoja. Klevis Dalipi po punon me ekipin, ndërsa klubi paralelisht me afrimet. Pasi u anulua faza përgatitore në qytetin e Dimalit, skuadra stërvitjet po i kryen në stadium.

klevis dalipi tomori 1

Stafi teknik ka shtuar direk ngarkesat, ndërsa prej ditësh po vijohet me dy seanca: paradite e pasdite. Duhet thënë që trajneri po e “shtrydh” ekipin, duke sfiduar edhe temperaturat e larta në këto ditë gushti. Megjithatë, në ekip nuk po ankohen. Edhe pse kanë punuar në planin fizik, teknik e taktik, kanë reaguar më së miri.

LALA – Ka ditë që është afruar në ekip, por ende nuk kishte firmosur. Gjithsesi, nuk ka më vend për dyshim: Franc Lala është i Tomorit. Qendërmbrojtësi ka nënshkruar, duke u konfirmuar zyrtarisht si një afrim në këtë merkato vere. Nën kontratë janë edhe Erald Kolgega e Plarent Fejzo, që kanë ardhur rishtas. E megjithatë, në klub nuk do ta lënë me kaq. Të tjera prurje priten për sezonin e ri dhe negociatat po vazhdojnë.

DALIPI – Klevis Dalipi “skanon” ditët e para në Berat dhe flet për planet e së ardhmes. Në një bisedë me “Panorama Sport”, trajneri thotë: “Qysh kur mora drejtimin e Tomorit, hasa në një ambient të shkëlqyer, mikpritës dhe mbi të gjitha entuziast. Kjo lloj atmosfere është e pranishme kudo në Berat, brenda dhe jashtë stadiumit. Ndihem komod në punën time dhe kjo do të ndihmojë për vazhdimësinë. E thashë që në ditën e parë, që synojmë majat.

Dhe që të marrim rezultate, duhet të punojmë fort. Për këtë motiv kemi nisur intensivisht përgatitjet, me nga dy seanca në ditë. Duam që të jemi gati për nisjen e garës më 11 shtator.

Paralelisht jemi përqendruar edhe te merkatoja. Synojmë të shtojmë cilësinë në organikë dhe ajo që mund të deklaroj, është se jemi në kontakt me disa elementë mjaft të njohur.

Ata i josh jo vetëm emri i madh i Tomorit, por edhe kushtet e shkëlqyera financiare të klubit. Shtoj këtu se edhe suporti i Bashkisë Berat është një element shumë i rëndësishëm. Në terren ka zbritur vetë kryebashkiaku Ervin Demo, që është duke dhënë maksimumin për Tomorin”, u shpreh trajneri

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"