Finalja e Kupës për U-17, Memelli: Tirana e ka si ndeshje radhe, ja çfarë kemi primare në klub

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 13:17

Finalja e Kupës për U-17, Memelli: Tirana e ka si ndeshje radhe, ja çfarë kemi primare në klub

Trajneri i Tirana U-17, Migen Memelli, e shikon si ndeshje të radhës finalen e sotme të Kupës me Partizanin. Ish-sulmuesi e shikon të karikuar skuadrën e tij, pasi sipas tij, ndeshjet e tilla i bëjnë lojtarët të motivohen automatikisht. Fitimin e Kupës e shikon në të mirë të lojtarëve, pasi primare për një akademi futbolli është përgatitja e elementëve cilësorë për skuadrën e parë.

memelli

Ai kërkon rritjen e nivelit të lojtarëve që drejton, ndërsa verdiktin e finales ia lë fushës së lojës duke mos ushtruar trysni e presion mbi ekipin para takimit. “Për mua kjo është një ndeshje e radhës dhe nuk na ngarkon me emocione. Por në cilësinë e finales së Kupës ka një interes të veçantë. Gjithmonë sportistët janë të përgatitur për këto lloje ndeshjesh si nga ana emocionale dhe nga ana profesionale. Pa dyshim që fitimi i kësaj kupe u jep një motivim dhe vetë lojtarëve, por gjithsesi kjo nuk është primare në një akademi futbolli. Primare është që këta lojtarë duhet të rrisin nivelin e tyre profesional. Kjo është dhe kryesorja që kërkojmë ne si akademi si dhe prodhimi i talenteve që t’i shërbejnë ekipit të parë. Ne do bëjmë pjesën tonë në këtë finale, duke u futur në fushë për të fituar dhe pastaj do të shohim verdiktin e lojës. Po qe se do ta fitojmë, kjo do të jetë një stimul më shumë për ekipin tonë”.

A. Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"