FIFA ultimatum për Bushiç, afati deri më 8 mars

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2016 | 8:59

FIFA ultimatum për Bushiç, afati deri më 8 mars

Është për të ardhur keq që situata e ekipit, i cili lufton për të arritur zonën Europiane, në fushën e lojës nuk shoqërohet me një pasqyrë pozitive edhe në anën e administrimit të klubit.Bushic firmos kontraten Tomislav Bushiç është një emër që Tirana e largoi për paraqitjen në fushën e lojës, megjithatë tashmë ai kërcënon me një vlerë të caktuar parash që pret nga buxheti i ekipit 24 herë kampion.

Ultimatumi – Burime konfidenciale për “Panorama Sport” kanë bërë me dije se klubi kryeqytetas ka një afat që brenda datës 8 mars duhet të likuidojë borxhin ndaj Tomislav Bushiç. Bardheblutë kanë humbur gjyqin në FIFA me lojtarin dhe tashmë shuma e pagave që ai ka pretenduar kundrejt tyre është shndërruar në borxh të detyrueshëm.

Njoftimi i fundit ka qenë në fillim të muajit shkurt. Tashmë, klubi duhet ta paguajë lojtarin brenda afatit të caktuar, pasi do të rrezikonte më pas masat sanksionuese që aplikon organizmi më i lartë i futbollit.

Rreziku – Tirana është në vendin e tretë me meritë dhe sikur të mos kishte ndodhur ajo që ka ndodhur (të paktën në dy përballjet me Skënderbeun siç pretendon vetë klubi), bardheblutë mund të kishin tjetër distancë me skuadrat që janë në krye të tabelës së klasifikimit.

Megjithatë, një borxh i tillë rrezikon klubin që të mund të humbasë pikë. Kjo, pasi është sanksioni me të cilin FIFA detyron klubet të reagojnë dhe t’u përgjigjen gjyqeve që humbasin me ishlojtarë apo trajnerë. Një rast i tillë u përsërit me Flamurtarin, që, edhe pse e pagoi gjobën, iu zbritën tri pikë në tabelën e klasifikimit.

Vlonjatët e paguan detyrimin financiar, por fakti që nuk respektuan afatin i bëri që të humbasin pikë të vlefshme. Për fat të keq, edhe bardheblutë mund të rrezikojnë, nëse nuk do të respektojnë afatet.

Me të tilla raste që tashmë nuk janë utopi, vetë klubi duhet të reagojë me drejtuesit që ka, pasi administrimi i situatave me lojtarë apo trajnerë që dalin jashtë planeve duhet të zgjidhet mirë edhe nga ana ligjore, në mënyrë që të mos shkaktojnë probleme për arkat e klubit apo presidentit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"