Festoi 29 vjetorin e lindjes, ja çfarë dhurate dëshiron Etrit Berisha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2018 | 12:04

Festoi 29 vjetorin e lindjes, ja çfarë dhurate dëshiron Etrit Berisha

Eliminimi me Dortmundin në Europa Ligë duket se ka rënduar jo pak në paraqitjet e portierit të Kombëtares shqiptare të futbollit. Etrit Berisha, i cili dje ka festuar ditëlindjen e tij të 29-të, ka besim se bergamaskët do të arrijnë që të sigurojnë edhe për edicionin e ardhshëm një vend në klasifikim që të mund t’u garantojë pjesëmarrjen në Europë. Gardiani kuqezi ka folur në lidhje me eliminimin nga gjermanët, garën në Serinë A si dhe… ditëlindjen.

BERISHA-ATALANTA

DITËLINDJA – I kontaktuar nga mediat pranë Atalantës, portieri shqiptar ka treguar edhe dhuratën më të mirë për këtë vit. “Sigurisht, sigurimi i Europës dhe mbyllja e kampionatit me një arritje të tillë, do të ishte dhurata më e bukur”, është shprehur fillimisht portieri.

SERIA A – Në lidhje me këtë objektiv, gardiani kuqezi e di vështirësinë dhe skuadrat, të cilat duhen mposhtur. “Unë mendoj që do ta arrijmë Europën. E di që është një garë e vështirë, pasi bëhet fjalë për tri skuadra që duhet të ndajnë dy vende, por me 70% them se do t’ia dalim ne. Kemi një kalendar në favor, që besoj se na bën më të avantazhuar sesa të tjerët”, ka vijuar shqiptari.

MILANI – Një prej skuadrave në formë në Serinë A momentalisht është Milani i drejtuar nga Gatuzo, e cila gjithashtu synon një vend në Europë. Berisha e pranon rivalitetin nga kuqezinjtë, ndërkohë që tregon edhe çelësin e suksesit për të tijtë. “Sampdoria, Torino dhe Milan janë gjithashtu në lojë sikurse edhe ne për kualifikimin në Europë.

Megjithatë, vendimtare do të jetë që ne të grumbullojmë pikët e sfidave në transfertë. Nisur nga sfida e radhës me Bolonjën që është shumë e rëndësishme. Pikët në përballjet direkte do të na ndihmojnë shumë dhe ne jemi shumë të vendosur që të mbyllim një sezon të suksesshëm”, ka deklaruar Berisha.

LIGA E EUROPËS – Ndaj Dortmundit, mungesa e fatit bëri që bergamaskët të eliminoheshin me barazimin në ndeshjen e kthimit pas një goli të pësuar në të 83-tën minutë. “A mund ta bllokoja atë top? Sigurisht që kam gabuar, por isha i fundit dhe peshoi më shumë. Gjithsesi, në raport me të dy ndeshjet e luajtura, them që kemi merituar më shumë”, ka përfunduar portieri i Atalantës dhe i Kombëtares shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"