“EUROBASKET 2025” / Shqipëria e nis me sukses, fitore mes drithërimash ndaj skuadrës që renditet 31 vende më lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 20:45

“EUROBASKET 2025” / Shqipëria e nis me sukses, fitore mes drithërimash ndaj skuadrës që renditet 31 vende më lart

Shqipëria e basketbollit të meshkujve e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e saj në raundin e parë të paraeliminatoreve për “EuroBasket 2025”. Kuqezinjtë e Afrim Bilalit mundën dje Luksemburgun me rezultatin 92-89, në takim e zhvilluar në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, sfidë e vlefshme për Grupin B.

shqiperia

Një sfidë shumë e bukur, me përmbysje dhe ripërmbysje, e luftuar deri në sekondën e fundit, por që me meritë të plotë i buzëqeshi Shqipërisë. Një ndeshje, të cilën kuqezinjtë e interpretuan mjaft mirë, ndërsa ditën të ruanin qetësinë e të reagonin edhe në momentet e vështira. Kështu, Kombëtarja merr sukses mjaft të bukur përballë një rivali që renditet shumë shkallë më lart në klasifikimin botëror të FIBA-s, pasi luksemburgasit pozicionohen në vend të 74-t, ndërsa kuqezinjtë janë të 105-të.

NDESHJA – Ndryshe nga sfidat e fundit, trajneri Bilali në këtë takim kishte në dispozicion edhe “big”-ët, si Dallas Mur, Rei Pullazi apo Elvis Dusha, që të tre startuan si titullarë së bashku me Shestanin dhe Hysenagollin. Sfida nisi me një kosh për 2 pikë që në aksionin e parë të luksemburgasve, të cilëve iu kundërpërgjigj Pullazi me një gjuajtje të saktë për 3 pikë, duke e ndezur menjëherë atmosferën në sallë. Shqipëria shkëputet deri në 5 pikë në këtë fraksion lojë, por periodën e parë e fiton minimalisht 27-26.

Shqipëria luan mirë edhe në periodën e dytë, madje e dominon kundërshtarin, duke e thelluar avantazhin deri në 10 pikë, por në minutat e fundit Luksemburgu reagon dhe arrin të ngushtojë. Kështu, kuqezinjtë e fitojnë edhe këtë periodë 21-20, duke shkuar në pushim me avantazhin 48-46. Në periodën e tretë, Shqipëria shfaq vështirësi dhe nuk arrin të mbajë të njëjtin ritëm, ndërsa Luksemburgu merr kontrollin e lojës, teksa e fiton këtë fraksion 20-28, duke kryesuar 68-74 pas 30 minutash. Ndonëse në vështirësi, Shqipëria gjeti forca dhe arriti të reagonte mjaft mirë, ndërsa gjithçka ndodh në minutat e fundit, të cilat janë vërtet dramatike. Kështu, 1’38 nga fundit Hysenagolli rikthen në avantazh Shqipërinë 86-84, miqtë barazojnë, por Shestani me dy gjuajtje të saktë për 3, thellon në 92-86. Me gjithë përpjekjet e Luksemburgut, Shqipëria ia del ta ruajë epërsinë dhe merr një fitore që sjell entuziazëm për gjithë basketbollin shqiptar.

Rei Pullazi, me 23 pikë dhe 6 ribaunde, ishte lojtari më i mirë për Shqipërinë në këtë takim. Dopioshifër pikësh në radhët e kuqezinjve prekën edhe Shestani (15), Dusha (12) dhe Lekndreaj (11), teksa ky i fundit regjistroi gjithashtu edhe 9 ribaunde. Ndeshja e radhës për Shqipërinë do të jetë më 24 shkurt të vitit të ardhshëm përballë Rumanisë në transfertë. Kujtojmë se vendet e para të tria grupeve si dhe e dyta më e mirë kualifikohen për në raundin e dytë të paraeliminatoreve.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"