Erlis Frashëri: Ndihem komod, ia dalim të mbijetojmë në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2017 | 18:08

Erlis Frashëri: Ndihem komod, ia dalim të mbijetojmë në elitë

Skuadra e Kamzës ka rreth 5 ditë që po zhvillon një minifazë grumbulluese dhe intensive në qytetin e Ohrit në shtetin maqedonas. Blutë, nën drejtimin e trajnerit Ramadan Ndreu, gjatë këtyre ditëve kanë intensifikuar stërvitjet duke shtuar edhe ngarkesat fizike, në mënyrë që lojtarët të marrin një ngarkesë të plotë për të përballuar peshën e kampionatit.

Frasheri

Madje, dje në mbrëmje, ata kanë zhvilluar dhe një takim miqësor ku me të vërtetë u tregua se ekipi po merr formën e duhur dhe po konsolidohet me grupin e ri, duke fituar takimin me Korabin e Dibrës së Madhe në një lojë mjaft të bukur. Një nga lojtarët, që shkëlqeu në këtë takim, ishte edhe mbrojtësi i djathtë, Erlis Frashëri, i cili, përveçse veproi mjaft mirë repartin e tij, arriti që edhe të dyfishonte rezultatin duke shënuar golin e sigurisë.

Pas ndeshjes, lojtari me origjinë korçare u shpreh: “Në skuadrën e Kamzës jam ambientuar shumë mirë si gjatë sezonit të kaluar kur arritëm që ta ngjitnim skuadrën në Kategorinë Superiore, por edhe tani me grupin e ri të lojtarëve që po afirmohet, duke u përshtatur shumë mirë me lojën e skuadrës, ku dua të falënderoj edhe drejtuesit e klubit si presidentin Qarri, po ashtu dhe kryebashkiakun Mziu për kontributin e çmuar që ata kanë dhënë për ekipin duke financuar, por edhe duke qenë prezent e pranë lojtarëve.

frasheri

Nuk e kisha menduar kurrë më parë kaq të lehtë një ambientim të tillë, pasi në fillim e pata disi të vështirë, por tashmë ndihem si në shtëpinë time. Po vazhdoj të luaj dhe ndihem komod. Për sa u përket synimeve të ekipit tonë, jam optimist se me prurjet e reja është ndërtuar një skuadër e fortë për të përballuar me sukses mbijetesën.

Sigurisht që ekipi nuk është kompletuar akoma, ka nevojë edhe për disa ndërhyrje për të cilat po bashkëpunojnë ngushtë drejtuesit e klubit dhe trajneri. Besoj se me kompletimin e ekipit Kamza do të dijë të përballojë ekipet e Superiores duke mos rrezikuar daljen nga kategoria”, ka përfunduar mbrojtësi Frashëri.

Abdullah Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"