Entuziazëm te Teuta, mesfushori i durrsakëve pritet të kthehet në formacion ndaj Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2022 | 10:32

Entuziazëm te Teuta, mesfushori i durrsakëve pritet të kthehet në formacion ndaj Kukësit

Teuta vijoi me entuziazëm procesin stërvitor për ndeshjen e së premtes ndaj Kukësit.

ASION DAJA

Trajneri Renato Arapi po i zhvillon përgatitjet me grup të plotë, ku nuk ka munguar as Ledio Beqja, që do të mungojë në këtë përballje për arsye pezullimi nga kartonët.

Xhekson Ferreira mbetet i vetmi futbollist që përgatitet i veçuar, pasi faza e riaftësimit ka zgjatur shumë për brazilianin.

Për trajnerin Arapi, e rëndësishme është që skuadra të jetë e bashkuar në prag të takimit, që do të thotë shumë për vijimësinë e sezonit dhe për objektivat.

Për këtë arsye, në fillim të seancës së djeshme trajneri Arapi zhvilloi një bisedë me të gjithë grupin, duke mbajtur një fjalim të shkurtër dhe ndarë detyrat e përgjegjësitë për gjithsecilin.

Arapi e ndau fillimisht skuadrën në tri grupe, ku binte në sy humori i lartë dhe batutat mes lojtarëve. Më pas vijoi me ushtrimet e përgjithshme në funksion të sfidës së nesërme.

Teuta është e fokusuar e gjitha te ndeshja ndaj Kukësit, që do të luhet të premten në stadiumin “Niko Dovana”.

Stafi pritet të bëjë disa ndryshime në formacion nga ndeshja e fundit me Dinamon.

Mbrojtja mbetet e pandryshuar me Idrizajn, Jazxhin, Ivanoviçin dhe Kotobellin.

Aleksi dhe Daja pritet që të rikthehen të luajnë së bashku në mesfushë, ku mund t’u bashkohet edhe ganezi Akuah, që shikohet në balotazh me Plakun.

Lorenco Vila dhe Emiljano Vila pritet të luajnë në krahët e sulmit, ndërsa Hebaj ruan vendin e tij si qendërsulmues.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"