Emiljano Çela: Kukësi nuk gabon në Durrës, të bindur se do ta shpëtojmë sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 9:50

Emiljano Çela: Kukësi nuk gabon në Durrës, të bindur se do ta shpëtojmë sezonin

Kukësi shpreson tek një fitore sot në Durrës, për më tepër që përballë kanë një kundërshtar direkt si Teuta.

cela

Për trajnerin Emiljano Çela, skuadra vjen disi e rënduar nga ndeshja e kaluar me Skënderbeun, por ai ka besim se kanë rikuperuar disi gjatë javës. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës blu theksoi se tani për ta çdo ndeshje është shumë e rëndësishme.

“Humbja me Skënderbeun ka qenë shumë e rëndë për ne, qoftë nga konsumi fizik apo edhe psikologjik, por edhe në lojtarë, pasi kemi të dëmtuar dhe të pezulluar. Jemi munduar në këto pak ditë që kemi pasur në dispozicion që të rikuperojmë. Dihet që të gjitha ndeshjet për ne janë të rëndësishme, për vetë pozitat ku ndodhemi”, u shpreh fillimisht kreu i pankinës së Kukësit.

Sa i përket ndonjë ndryshimi që mund të bëjë për këtë sfidë, Çela shprehet se pavarësisht rezultatit, ka mbetur i kënaqur nga ndeshja në Korçë, duke nënkuptuar se lëvizjet mund të jenë të pakta.

“Në ndeshjen e fundit me Skënderbeun, ekipi më pëlqeu në ekuilibra, por edhe në mënyrën e të luajturit. Ishte një takim që e dominuam, por fatkeqësisht ai episod i minutave të para të ndeshjes, na dënoi. Kjo sërish kthehet në një sëmundje të vjetër e ekipit gjatë këtij sezoni, sepse pëson që në fillim. Patjetër edhe episode të tjera, sidomos penalltia e minutave të fundit të ndeshjes. Po të ishte parë ajo e zezë mbi të bardhë, do kishim tjetër rezultat sot”, vijoi më tej Çela.

Në fund, tekniku deklaroi se ka besim tek mbijetesa dhe këtë bindje e përforcon fakti që ekipi po i përgjigjet.

“Ekipi po më përgjigjet, djemtë i shoh të përkushtuar dhe motivuar për të bërë mirë. Thjesht nuk kemi kohë, na duhen pikët dhe duhet të përshpejtojmë shumë procese pune. Te Kukësi kam ardhur për të ndihmuar. Po të mos kisha besim, e kisha shumë të thjeshtë për të mos ardhur. E kam thënë që në fillim, që do të bëj maksimumin tim, bashkë me klubin dhe lojtarët, që ta shpëtojmë sezonin”, përfundoi trajneri i Kukësit.

KU

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"