Elbasani “pa frena”, rrëmben dhe mbrojtësin që u shpall kampion
Elbasani merr një ka mpion në merkato. Klubi arrin akordin me Miklovan Peren, i saposhpallur kampion te Struga Trim Lum. Burime të besueshme të “Panorama Sport”, pranë verdhebluve, bëjnë me dije se pas bisedave intensive të zhvilluara gjatë ditëve të fundit, më në fund është gjendur gjuha e përbashkët.

Ka dakordësi për të gjitha detajet e kontratës dhe tani mbetet vetëm për t’u bërë zyrtarizimi nga ana e klubit. Pogradecari vjen tek elbasanasit pas një aventure dyvjeçare në Maqedoninë e Veriut, konkretisht te skuadra strugane, që mori për herë të parë në histori titullin kampion. Më herët është aktivizuar edhe me Dinamon, ku siguroi ngjitjen në elitë. Asokohe madje mbante edhe shiritin e kapitenit te blutë.

Pjesën tjetër të karrierës e ka kaluar me ekipin e qytetit të tij, Pogradecin. Nuk kanë munguar as aventurat e shkurtra me Turbinën dhe Sopotin, gjithashtu në Kategorinë e Parë. Tanimë në moshën 32-vjeçare, Pere konsiderohet si një futbollist me mjaft eksperiencë dhe që mund t’i shërbejë shumë Elbasanit në arritjen e misionit “Superiore”.
PANORAMASPORT.AL













