Elbasani nuk ndalet në merkato, zyrtarizohet përforcimi i pestë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2020 | 13:40

Elbasani nuk ndalet në merkato, zyrtarizohet përforcimi i pestë

Elbasani nuk po ndalet këto ditë të fundit të merkatos, teksa ka zyrtarizuar edhe mbrojtësin Xhersildi Haka. 19-vjeçari vjen te verdheblutë nga Kastrioti, me të cilin luajti sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë.

haka xhersildi

Ai luan si mbrojtës i djathtë dhe do të jetë një alternativë e mirë për trajnerin Shkëlqim Lleshanaku. Haka prej disa ditësh stërvitej me Elbasanin dhe pasi ka marrë aprovimin e stafit teknik, ka rënë dakord edhe me drejtuesit e klubit, duke hedhur firmën nën kontratë. Tashmë ai mund të konsiderohet një afrim zyrtar në kampin elbasanas.

Kështu, Elbasani po përforcohet këto ditë të fundit të merkatos, duke ia plotësuar disi organikën e teknikut Lleshanakut, në mënyrë që të mos i mungojnë alternativat përgjatë gjithë sezonit. Më herët me verdheblutë janë bashkuar edhe katër lojtarë të tjerë, siç janë sulmuesi Saimir Hasani, mbrojtësi Viktor Mema dhe mesfushorët Mishel Kita dhe Klajdi Kryemadhi.

Aktualisht, numri i përforcimeve ka shkuar në pesë, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe ndonjë afrim tjetër në orët e fundit të merkatos. Skuadra është duke vijuar me përgatitjet intensive në kuadër të startit të kampionatit, ku stafi teknik njeh kundërshtarin, por nuk di datën e ndeshjes. Në këto kushte, skuadra edhe mund të zhvillojë ndonjë miqësore tjetër këtë javë, për aq kohë sa nuk dihet kur mund të fillojë kampionati.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"