Elbasani në kolaps, skadon afati i rrogave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2016 | 12:26

Elbasani në kolaps, skadon afati i rrogave

Sot është afati i fundit që lojtarët presin likuidimin e pagave të prapambetura. Sipas tyre, në rast se nuk do të likuidohen, do ta bojkotojnë sërish stërvitjen. Nga ana tjetër, drejtuesit kanë pohuar se do të gjejnë mundësinë për t’i likuiduar dhe më pas të vijojë normalisht puna për përgatitjen e ndeshjes së ardhshme me Shkumbinin.

Elbasani

Përpara sfidës me Dinamon, pikërisht për këtë çështje verdheblutë bojkotuan dy ditë para ndeshjes stërvitjen, gjë që u reflektua më pas edhe në lojë, sepse mungoi qetësia dhe përgatitja fizike gjatë pjesës së dytë. Megjithatë, fakti që bojkotuan për dy ditë javën e kaluar nënkupton se e kanë seriozisht për sa u përket pagave të tyre dhe nuk tërhiqen nga kjo çështje.

Situata

Vetë futbollistët nuk kërkojnë të bëjnë komente individuale rreth kësaj teme dhe presin ditën e sotme për të parë nëse do të hidhet ndonjë pagë në llogari ose jo. Megjithatë, fakti që verdheblutë shkuan deri në pikën e bojkotit për arsye pagash tregon edhe situatën jo të mirë dhe klimën jo pozitive që qëndron aktualisht në klub.

Mbetet për t’u parë sesi do të vijojë kjo histori, ndonëse, me shumë gjasa, do të ketë një marrëveshje midis palëve, edhe nëse paratë nuk hidhen ditën e sotme në llogaritë e tyre. Fakti që verdheblutë nuk kanë marrë rezultate të mira këtë kampionat, ka qenë edhe për këtë arsyen e parave.

Ecuria

Elbasani ndodhet në një krizë të thellë prej tre sezonesh. Klubi ka vështirësi financiare, në një kohë që ekipi lufton vetëm për mbijetesë. Tifozët e kanë braktisur dhe situata është kritike. Historia duket se do të përsëritet edhe gjatë këtij kampionati, ku verdheblutë do të luftojnë vetëm për t’i shpëtuar rënies në Kategorinë e Dytë.

Aktualisht, Elbasani renditet në vendin e 7-të me 12 pikë, ndërsa u mund 3-1 në takimin e fundjavës me Dinamon. Edhe trajneri Muharrem Dosti ka ngritur disa herë zërin për këtë situatë duke kërkuar që të gjithë të mblidhen dhe të zgjidhin ngërçin që ka përfshirë klubin.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"