Elbasani, ja cilët janë “të paprekshmit” e Lleshanakut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 22:05

Elbasani, ja cilët janë “të paprekshmit” e Lleshanakut

Gjatë fazës së parë, trajneri Shkëlqim Lleshanaku thuajse u ka dhënë të gjithë lojtarëve mundësinë të luajnë dhe të tregojnë vlerat e tyre. 

Elbasani

Kush më shumë e kush më pak, kanë gjetur hapësirë në skuadër. “Panorama Sport” u bën një pasqyrë minutave në fushë të futbollistëve të Elbasanit gjatë fazës së parë, ku bie në sy se të paktë janë të paprekshmit. Në fakt, janë vetëm dy, portieri Ferit Moli dhe mbrojtësi Arlind Ballgjini. Kjo dyshe i ka luajtur të nënta ndeshjet dhe i ka 810 minuta të plota.

Me ndeshje të plota janë edhe tre lojtarë të tjerë, por nuk i kanë minutat të plota. Ata janë Skënderi, Ferhati dhe Nuri, të cilët janë zëvendësuar në pjesën e dytë, kush për arsye dëmtimi dhe kush për arsye teknike. Këta pesë futbollistë i kanë nisur të gjitha ndeshjet si titullarë, duke treguar në njëfarë mënyre se pa ta tekniku Lleshanaku e ka të vështirë të bëjë, të paktën me atë që është parë gjatë fazës së parë. Pra, verdheblutë e kanë tanimë një bazë për vazhdimësinë.

ss

Më pas vijojnë me radhë lojtarët si Hyshmeri apo kapiteni Duka, të cilët kanë më shumë eksperiencë në këtë grup dhe këto javët e fundit e kanë marrë skuadrën prej dore, duke ndikuar në rezultatet pozitive. Te lista e më pak të aktivizuarve, por që kanë pasur fatin të luajnë, më pak minuta ka mbrojtësi Geri Selimaj, i cili në dy ndeshje si zëvendësues ka luajtur 34 minuta. Kjo listë vijon me Serxho Bajramin, Bushin, Allkjen dhe Çemën, të cilët mbyllin pesëshen e lojtarëve më pak të aktivizuar gjatë kësaj faze të parë.

SENSIBILIZIMI – Një gjest për t’u përshëndetur vjen nga fëmijët në qytetin e Elbasanit, të cilët kanë zhvilluar një sfidë miqësore midis tyre në nderim të viktimave të tërmetit. Për të ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre që kanë mbetur pa shtëpi, futbollistët e ekipeve U-13 të Alar 2018 dhe Elbasanit për një ditë hoqën dorë nga nevojat e tyre dhe të ardhurat i dhuruan për këto familje.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"