Elbasani bojkoton stërvitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2016 | 21:14

Elbasani bojkoton stërvitjen

Plas në Elbasan, lojtarët bojkotojnë stërvitjen. Ditën e djeshme ekipi i Elbasanit nuk ka pranuar që të dalë në stërvitje, duke e bojkotuar atë, për shkak se kanë dy muaj pa u paguar. Edhe pse janë paraqitur normalisht për të kryer stërvitjen e zakonshme si çdo ditë, futbollistët nuk kanë pranuar që të fillojnë stërvitjen pa marrë më parë zgjidhje çështja e rrogave të prapambetura.

Elbasani

Por, përpara se të ndërmerrnin këtë masë ekstreme, lojtarët kanë kërkuar të drejtën e tyre te drejtuesit e klubit. Duke qenë se kjo çështje nuk ka marrë zgjidhje, atëherë futbollistët kanë ndërmarrë këtë vendim dhe për aq kohë sa nuk do të paguhen pritet të mos dalin më në stërvitje. Nesër luhet edhe sfida për kampionat me Dinamon dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje gjatë ditës së sotme, me shumë gjasa lojtarët nuk do të pranojnë të zbresin në fushë.

Në një situatë të tillë ishte ekipi i të rinjve ai që luajti përballë dinamovitëve. Është për të ardhur keq, pasi Elbasani po e rigjente formën me rezultate pozitive në kampionat pas dy fitoreve radhazi, duke u ngjitur në klasifikim. Mirëpo, tani duket sikur situata po u rrëshqet nga duart dhe ky bojkot mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në ndeshjen e nesërme, si edhe për ecurinë e mëtejshme në kampionat.

Situata Në muajin shtator u firmos kontrata për shitjen e aksioneve te kompania “Level Up Sa” dhe u mendua që me afrimin e pronarëve të rinj nuk do të diskutohej më për pagat, por do të pretendohej për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Megjithatë, për aq kohë sa klubi do të qëndronte në dorë të pronarëve aktualë do të ishin ata që do ta menaxhonin dhe merrnin përsipër shpenzimet.

Bashkia e Elbasanit, si aksionerja kryesore e klubit, nën administrimin e saj do të garantonte paratë e lojtarëve, duke bërë edhe merkato në afrimin e lojtarëve cilësorë, nuk është treguar korrekte deri më tani. Madje, nga burime pranë gazetës ka qenë përfaqësuesi i kompanisë angleze ai që ka paguar lojtarët me rrogat, edhe pse ende nuk e kanë marrë zyrtarisht administrimin e klubit. Nuk dihet se si do të përfundojë kjo çështje, por situata që po kalon klubi nuk është aspak e mirë.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"