Elbasani, 200 ditë larg shtëpisë. Klubi “lutet” për rikthimin në bazë, por edhe këtë javë mund të degdisen në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2021 | 22:51

Elbasani, 200 ditë larg shtëpisë. Klubi “lutet” për rikthimin në bazë, por edhe këtë javë mund të degdisen në…

Elbasani vazhdon shtegtimin. Për ta është kthyer në një sfidë më vete që të luajë në “Elbasan Arena”. Edhe kur fusha është e lirë (pasi këtë fundjavë Kukësi dhe Partizani luajnë në transferta), verdheblutë sërish nuk mund ta përdorin shtëpinë e tyre. Ndeshja e kësaj fundjave kundër Tomorit ende nuk ka një axhendë të qartë. Nuk është dhënë ende OK përfundimtar, ndonëse në kampin elbasanas “luten” që të rikthehen në bazë. Megjithatë, shpresat janë të pakta. Impianti është mbyllur që pas përballjes Partizani-Vllaznia dhe ndodhet në fazë “rehabilitimi” dhe duket e pamundur që të hapet për Elbasanin.

Elbasani

Mundësia tjetër mbetet Cërriku, stadiumi i të cilit është kthyer në shtëpinë e vërtetë të Elbasanit, sepse të tria ndeshjet si pritës në këtë kampionat i kanë zhvilluar atje. Ka shumë të ngjarë që takimi të zhvendoset pikërisht të dielën në “Nexhip Trungu”, të paktën ky është plani paraprak i federatës.

SHTEGTIMI PREJ 7 MUAJSH

Përballja e fundit që verdheblutë kanë luajtur në “Elbasan Arena” i takon sezonit të kaluar. Bëhet fjalë për sfidën midis Elbasanit dhe Devollit, e mbyllur me rezultatin 3 me 1. Kjo ndeshje është luajtur në 25 korrik, pra afro 7 muaj më parë. E përkthyer në ditë, janë plot 200 ditë që Elbasani nuk ka luajtur një ndeshje në stadiumin e vet. Kjo nuk është një situatë e panjohur për elbasanasit, sepse që nga ndërtimi i stadiumit, kanë vuajtur gjithnjë nga të tilla probleme dhe pjesën më të madhe të ndeshjeve i kanë luajtur larg qytetit të tyre. Një herë Partizani, një herë Kukësi, ndonjëherë Kombëtarja dhe në ndonjë rast faza e rehabilitimit të terrenit bëhen shkak që Elbasani të degdisen.

SITUATA DHE RREZIKU

Përballja me Tomorin është një finale më vete për Elbasanin, sepse në rast se nuk fiton as në këtë ndeshje, atëherë edhe shanset për mbijetesë mund të shuhen përfundimisht. Për këtë arsye rikthimi në shtëpi ka një rëndësi të veçantë për skuadrën, sepse aty mund të japin më të mirën e tyre. Verdheblutë mbyllin klasifikimin në Grupin B pa asnjë pikë të grumbulluar dhe kundërshtari më i afërt është Flamurtari në kuotën e shtatë pikëve.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"