EKSKLUZIVE/”Kemi vetëm një mbrojtës të majtë”, Longo: Blerjet i pres deri të hënën, më pas…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2022 | 11:44

EKSKLUZIVE/”Kemi vetëm një mbrojtës të majtë”, Longo: Blerjet i pres deri të hënën, më pas…

Diego Longo ndihet i kënaqur me Kukësin e tij dhe nuk e sheh thelbësore merkaton e janarit, e cila, nëse ndodh, duhet patjetër që deri të hënën mbrëma të mbyllet, pasi në të kundërt do të punojë me grupin që ka në dispozicion.

DIEGO LONGO

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai nuk e konsideron këtë gjë një ultimatum për klubin, por një dakordësi midis tyre. Italiani shpreson vetëm që të zëvendësojë Rapon dhe Gashin e larguar më herët, vetëm për efekt numerik dhe mungesë alternativash, ndonëse shpreh besimin te të rinjtë.

Longo ndalet edhe te sfida e radhës me Dinamon, ku edhe pse Kukësi është pritës, praktikisht luajnë në shtëpinë e kundërshtarit, duke deleguar kështu edhe një herë tjetër presionin te pala tjetër.

Mister, si e gjetët Kukësin pas pushimeve?
Shumë mirë, i gjeta lojtarët të përqendruar, ambiciozë dhe me shumë dëshirë për t’u stërvitur. Jam i kënaqur, pasi po punojmë së bashku me klubin të gjithë për të arritur të bëjmë maksimumin në vazhdim.

Ndryshe nga ekipet e tjera, Kukësi deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje në merkato. Nuk do të bëni apo ende nuk i keni gjetur?
Nuk është thelbësore të bëjmë lëvizje patjetër në merkato, vetëm nëse do të duhet të mbulojmë dy rolet që kanë mbajtur më herët Gashi apo Rapo. Por, ne kemi një grup të fortë, të bashkuar dhe kjo është gjëja më e rëndësishme, Por, nëse do t’ia dalim të gjejmë dikë që të përmirësohemi, atëherë shumë mirë, përndryshe edhe mund të rrimë kështu, sepse jemi mirë.

Ku mendoni se duhet ndërhyrë patjetër, në cilat reparte?
Nga pikëpamja numerike ndoshta na mungon një lojtar në repartin difensiv dhe një në mesfushën ofensive, për të mbuluar rolet e Rapos me Gashin, siç e thashë më lart. Ndaj, nëse arrijmë të marrim ndonjë në këto reparte shumë mirë, sepse nuk i kemi nga pikëpamja numerike, siç është rasti i Ndrecës, që nuk kam asnjë alternativë në krahun e majtë të mbrojtjes.

Sa e rëndësishme është për ju që afrimet, nëse do të ndodhin, të vijnë sa më shpejt dhe jo në ditët e fundit të merkatos?
Kemi kohë edhe dy ditë për merkaton, më pas ajo është e mbyllur për ne. Mua nuk më intereson nëse është e hapur deri në fund të janarit, nëse brenda dy-tri ditësh deri të hënën mbrëma nuk kam lojtarët këtu, unë qëndroj me ekipin që kam.

Nuk kam kohë për të adaptuar lojtarët, për të krijuar sërish grupin. Ata që kam do t’i mbaj, sepse për mua është e rëndësishme të punojmë të gjithë bashkë dhe të përgatisim ndeshjet dhe skuadrën. Koha skadon brenda të hënën mbrëma, nëse nuk vijnë, e mbyllim.

A është ky një ultimatum për klubin?
Jo, jo, absolutisht, nuk bëhet fjalë për ultimatum. Kjo është diçka e përbashkët që e mendojmë dhe kemi rënë dakord që kjo është gjëja më e mirë. Duhet të kuptojmë diçka, nëse marrim shembull një skuadër, Dinamon, që nuk ka bërë mirë, normal dëshiron të marrë lojtarë për të ndryshuar diçka.

Ne jemi të dytët, kur të gjithë mendonin që do të ishim poshtë vendit të gjashtë. Për mua është shumë mirë grupi kështu, vetëm se duhet të bëjmë dy ndërhyrje për çështje numerike. Por, unë skuadrën time e kam dhe mund të shkojë mirë kështu, nëse arrijnë deri të hënë mirë, në të kundërt kemi edhe shumë të rinj dhe do të thërras ata.

Ndeshja e radhës ndaj Dinamos, çfarë prisni?
Pres një ndeshje të vështirë edhe për faktin se do të luajmë në shtëpinë e Dinamos, siç është Elbasani, dhe ata luajnë aty ndeshjet si pritës, pasi fusha jonë nuk është ende gati. Ata kanë nevojë për të fituar, sepse kanë pasur pesë muaj të vështirë dhe janë në një situatë dramatike, pasi janë pranë zonës së rënies dhe nuk mund t’ia lejojnë vetes ta nisin keq. Por, ne do të kërkojmë vetëm të fitojmë, ndaj do të japim gjithçka. Do të jetë e vështirë, por kam shumë besim.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"