EKSKLUZIVE/ Zhvilloi paraqitje pozitive, Esat Mala: Ngjitja sapo ka filluar, ky gol është i paharrueshëm!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 11:15

EKSKLUZIVE/ Zhvilloi paraqitje pozitive, Esat Mala: Ngjitja sapo ka filluar, ky gol është i paharrueshëm!

Esat Mala e nisi i frymëzuar në maksimum këtë vit të ri. Dje, në fitoren 0-3 të Partizanit ndaj Egnatias, 23-vjeçari ishte pa dyshim një nga më të mirët në fushë. Ai shënoi një gol shumë të bukur, por jo vetëm kaq, sepse mbajti shumë përgjegjësi në manovrën sulmuese të ekipit. Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, vetë Mala tregoi emocionet e para pas këtij suksesi, aq i nevojshëm emocionalisht për të kuqtë.

ESAT MALA

U rikthyet te goli, cili ishte sekreti i asaj “perle”?

Jam i kënaqur që shënova dhe goli i dha skuadrës përparësi për më mirë. E nisëm pak keq në fillim, por më pas përmirësuam dukshëm. Gjithmonë punoj dhe në stërvitje apo individualisht që të jem në formë. Jo vetëm unë, por të gjithë shokët duhet të bëjnë maksimumin. Nuk do ta harroj lehtë këtë gol.

Si prisni të jetë e ardhmja juaj dhe e Partizanit në këtë sezon?

Skuadra normalisht beson shumë që do të jetë më ndryshe këtë vit. Çdo kundërshtar duhet të marrë vlerësim maksimal. Vetëm me një vlerësim të madh dhe lojë bindëse do të arrijmë atë që duam. Edhe në anën personale do të bëj më të mirën që të kem një ecuri të mirë e ta ndihmoj skuadrën në çdo javë. Premtoj më të mirën, ashtu siç kam bërë edhe më parë. Synimet janë të përbashkëta për t’u arritur.

Cilët do të jenë objektivat e Partizanit për këtë vit?

Dihet se Partizani është mësuar të renditet sa më lart në klasifikim. Ka edhe momente jo të mira në futboll. Mjafton që të besosh shumë. Kampionati ka akoma javë dhe ngjitja duhet të vazhdojë. Nuk më takon mua të flas shumë, por tradita që kemi nuk na lejon të bëjmë asnjë hap të gabuar. Ngjitja në renditje sapo ka filluar. Duhet të jemi të qetë për të shkuar aty ku e meritojmë.

Cili është ndryshimi midis Dajës dhe Mehmetit si trajnerë?

Nuk dua të flas shumë për këtë pyetje. Të dy janë trajnerë që e njohin ambientin te Partizani. Kanë bërë mirë e po bëjnë mirë. Vlen të them se ruaj respekt për të dy në punën që bëjnë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"