EKSKLUZIVE/ “Zgjohet” skuadra e Kategorisë së Parë, firmos me mbrojtësin e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2021 | 15:27

EKSKLUZIVE/ “Zgjohet” skuadra e Kategorisë së Parë, firmos me mbrojtësin e Vllaznisë

Zgjohet më në fund Besa. Pas një heshtjeje të stërgjatë, nis merkatoja. Ashtu sikundër pati premtuar presidenti, ngjau. Blerjet do të bëheshin në Kategorinë Superiore dhe i pari që ka bindur është një ish-lojtar i Vllaznisë.

NERTIL HOXHAJ

Gazeta “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Nertil Hoxhajn, mbrojtësin e linjës së majtë. Vërtet nuk ka pasur shumë hapësira te shkodranët, por vlerat e tij janë të padiskutueshme. Ai ka pranuar ofertën e Nexhat Bizhdilit pas një muaji bisedimesh. Vetëm dje pasdite është mbyllur gjithçka dhe ka hedhur firmën në kontratë.

Përvoja e 24-vjeçarit do t’u bëjë ndjeshëm punë kavajasve, ndërsa kujtojmë që më herët ai është aktivizuar te Bylisi e Elbasani, pa harruar edhe eksperiencën te Vushtrria e Llapi në Kosovë.

Mbrojtësi bëhet kështu afrimi i parë në merkato, por nuk do të jetë i fundit. Klubi ka planifikuar edhe 4 afrime të tjera nga elita, megjithatë emrat mbeten “enigmë”. Drejtuesit po tregohen të kujdesshëm me negociatat dhe vetëm pasi sigurohen që të hidhët “e zeza mbi të bardhë” do t’i bëjnë publike.

Pritet të shihet se si do të operohet me titullarët që mbyllën sezonin e fundit te kavajasit. Kujtojmë se Alsid Tafilit e Ledjon Muçajt u kanë skaduar kontratat më 31 maj.

Nuk dihet ende nëse do të rinovojnë apo do të shpallin zyrtarisht “divorcin” me klubin. Gjithsesi, dilemat mund të marrin fund nga sot. Presidenti ka menduar që nga e marta të nisë me këtë proces. Tashmë pritet të shihet nëse dy futbollistët do të marrin ftesë për të vazhduar bashkëpunimin me Besën.

Shkodrani Tafili e ka dhënë OK-in fillestar për të qëndruar, megjithatë hapur ka thënë hapur se çdo gjë varej nga objektivat që klubi do të ketë për sezonin 2021-2022.

nertil hoxhaj 1

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"