EKSKLUZIVE/ Zbulimi i vitit, rrëfehet mbrojtësi i Kombëtares: Europianin dua ta shijoj, si e kalova “provimin” me Silvinjon (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2023 | 16:51

EKSKLUZIVE/ Zbulimi i vitit, rrëfehet mbrojtësi i Kombëtares: Europianin dua ta shijoj, si e kalova “provimin” me Silvinjon (E PLOTË)

Të gjithë u çuditën kur Lokomotiva e Moskës shpenzoi 3 milionë euro për Mario Mitajn verën e kaluar. Thënë kjo, pasi shifër e lartë për një mbrojtës të majtë që sapo kishte mbushur 19 vjeç dhe më shumë ndeshje kishte luajtur me ekipin e dytë të AEK-ut sesa me të parin. Sezoni i parë ishte i vështirë në Rusi, ku një pjesë të ndeshjeve Mitaj i kaloi në stol, por me kalimin e kohës, ai tregoi se ato 3 milionë euro nuk janë shpenzuar kot për të. Ky vit ishte magjik, pasi Mario po luan në kampionatin rus më shumë se sezonin e kaluar, por gjithashtu “blindoi” krahun e majtë në Kombëtaren shqiptare.

mitaj mario

“Ndeshja më e vështirë për mua ishte me Moldavinë në shtëpi, kjo pasi nuk duhet të zhgënjeja trajnerin Silvinjo që më besoi”, thotë Mitaj në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Mbrojtësi i majtë shprehet se është me fat që do të luajë ndaj Italisë, Spanjës dhe Kroacisë, pasi gjithmonë ka admiruar mënyrën e tyre të lojës.

Mitaj, jeni pjesë e Lokomotivës së Moskës, si e mbyllët gjysmën e parë të kampionatit në Rusi?

Gjysmën e parë të sezonit besoj se e mbyllëm mirë, aktualisht jemi në vendin e katërt në kampionat, por edhe në Kupë jemi shumë mirë për momentin.

Mesa shoh, ju rifilloni në mars me ndeshjet, kështu që do të keni kohë për pushime, ku do t’i kaloni ato?

Megjithëse kam një muaj pushime, pjesën më të madhe do e kaloj me familjen time dhe me shoqërinë në Greqi.

Nëse Mario luan si mesfushor po aq mirë sa mbrojtës i majtë, e keni menduar se ndonjëherë mund ta bëni edhe sulmuesin e krahut kur është nevoja?

Detyra ime është që të punoj fort dhe të paraqitem sa më mirë në secilin vend që më beson trajneri. Megjithëse le ta pranojmë, nuk është e lehtë që të luash aq përpara.

Si e keni përjetuar kalimin nga AEK, klub ku jeni formuar si futbollist, te Lokomotiva e Moskës?

Normalisht nuk është e lehtë që të ikësh nga familja dhe vendi ku ke lindur dhe je rritur e të shkosh në Rusi. Por, unë mendoj se që të ecësh përpara duhet të sakrifikosh.

Kombëtarja, cila ka qenë ndeshja më e vështirë për ju në këto kualifikuese?

Ndeshja më e vështirë për mua ka qenë ajo me Moldavinë në Shqipëri, sepse ishte ndeshja ime e parë si titullar dhe aty mendoja që në asnjë mënyrë nuk duhej që të zhgënjeja trajnerin Silvinjo që më besoi nga minuta e parë.

Po më e bukura dhe më emocionuesja?

Ndeshja më e bukur për mua ishte fitorja me Çekinë në Tiranë. Kjo sepse aty në një farë mënyre na u hap rruga drejt kualifikimit për në Evropian.

Çfarë menduat kur Silvinjo ju besoi formacionin ndaj Moldavisë në qershor?

Një ndjenjë shumë e mirë dhe patjetër realizime ëndrrash. Njëkohësisht edhe një detyrë për mua që të punoj maksimalisht dhe të justifikoj veten.

Sinqerisht, e kishit menduar ndonjëherë se mund të ishte një vit kaq i suksesshëm?

Pavarësisht se dëshirat ishin, të them të drejtën nuk e besoj se do të më ecnin kaq mirë punët. Falë Kombëtares që më besuan, çdo gjë eci mirë dhe i falënderoj shumë për mundësinë që më dhanë.

Një arritje ishte dhe kualifikimi në Europian, sidomos kur je 20 vjeç, cili është objektivi i Mario Mitajt për vitin 2024?

Objektivi im është që në Europianin e 2024 në Gjermani të shkojmë dhe të shijojmë ato ndeshje, duke dhënë maksimumin në fushë dhe duke u futur në secilën prej tyre për të marrë pikë.

Spanjë, Itali dhe Kroaci, një koment për kundërshtarët e grupit?

Jam me shumë fat që do të luaj kundër këtyre skuadrave. I kam pëlqyer gjithmonë për mënyrën e lojës që bëjnë, megjithëse kjo na e vështirëson punën, por e mira është që të arrish dhe të mposhtësh më të fortin.

A jeni mësuar pak me të ftohtin e Moskës?

Kam filluar të ambientohem, por diferenca e klimës është shumë e madhe nga Greqia, ku jam rritur në krahasim me Rusinë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"