EKSKLUZIVE/ Xhevahir Sukaj: Partizani pa ide në derbi, ja pse e mundi Tirana (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 21:45

EKSKLUZIVE/ Xhevahir Sukaj: Partizani pa ide në derbi, ja pse e mundi Tirana (E PLOTË)

Partizani kërkon të ringrihet pas atij derbi të humbur me shifrat 0-2 në mënyrë shumë të dhimbshme ndaj Tiranës dhe shërimin do të tentojë ta kërkojë ndaj Vllaznisë. Para kësaj sfide, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ka folur Xhevahir Sukaj, i cili ka luajtur me të dyja skuadrat, por bujën më të madhe e ka bërë pikërisht me “demat”, ku është sulmuesi i tretë më i mirë që nga viti 2013 te të kuqtë. 

sukajXhevahir Sukaj kur luante për Partizanin

Ai ka shënuar 25 gola në 48 ndeshje me Partizanin, duke pasur një mesatare prej 105 minutash për gol, më e mira në krahasim edhe me emra si Ekuban, Asani, Çinari apo Zhunior. Sukaj flet fillimisht për derbin, ku shprehet se Partizani bëri lojë pa ide, teksa thotë se Skuka duhej të luante në qendër. Ish-sulmuesi mendon se Vllaznia është favorite në përballjen e së premtes ndaj Partizanit në llogari të javës së shtatë të Kategorisë Superiore.

Xhevahir, si ju duk loja e zhvilluar në derbi?

Për mendimin tim u zhvillua një lojë plot me gabime. Thuajse gjatë gjithë ndeshjes kishte shumë pak saktësi nga të dyja skuadrat.

Ku gaboi Partizani në këtë derbi? Kishte shans të madh pas humbjes së penalltisë dhe përjashtimit të Lulajt.

Loja nisi ndjeshëm më mirë për ekipin e Tiranës, por më pas pësoi dy goditje me humbjen e penalltisë dhe daljen e Lulajt me karton të kuq. Por pas pak minutash, edhe pse me një lojtar më pak, skuadra e Shehit shënoi gol, çka tregon qartë se Tirana ishte e përgatitur për ta fituar këtë derbi me çdo kusht. Në pjesën e dytë Partizani u zgjua disi dhe krijoi shumë volum, por kishte shumë raste të humbura dhe nuk kishin shumë ide për të shënuar dhe tentuar përmbysjen e shifrave.

 

 

Në kohën tuaj Partizani i fitonte derbet në seri. Me aq sa patë në derbi, çfarë i mungon skuadrës aktuale të të kuqve?

Kur unë isha pjesë e Partizanit, pra në kohën tonë, ne nuk humbëm asnjë derbi dhe kjo arritje nuk është kurrsesi e rastësishme. Nuk mund të përcaktoj diçka konkrete se çfarë i mungon këtij Partizani, por di të them se ne kemi pasur një ekip shumë herë më të mirë se ai që luan në këtë sezon të Kategorisë Superiore.

Xhixha dhe Skuka janë sulmuesit e momentit. Duelin e parë e fitoi lojtari bardheblu. Si ish-bomber, çfarë nuk bëri mirë Skuka në këtë sfidë?

Xhixha dhe Skuka nuk janë lojtarë me tipare të njëjta, madje as të ngjashme, por të dy janë shumë vendimtarë për ekipet e tyre. Xhixha ndaj Partizanit humbi penalltinë, por më pas shfrytëzoi në mënyrë perfekte rastet që iu dhanë në dispozicion. Ai është lojtar tipik krahu dhe bën diferencën me pasimet vertikale. Është një lojtar shumë rezultativ. Nga ana tjetër Skuka është qendërsulmues i mirëfilltë dhe duke u nisur nga kjo nuk e kuptoj përse ishte pozicionuar në krahun e djathtë dhe jo në qendër të sulmit, ku është më i rrezikshëm.

Partizani luan të premten ndaj Vllaznisë, cili prej ekipeve ju duket më shumë favorit për ta fituar këtë ndeshje?

Është e vështirë të bësh një parashikim për një ndeshje ndaj këtyre dy ekipeve, kështu që nuk preferoj ta bëj. Interesant është fakti se janë dy skuadra që bëjnë lojë sulmuese dhe tërheqëse, çka e bën edhe përballjen të pritet me interes. Gjithsesi, duhet të them se Vllazninë e shoh pretendente për të fituar këtë ndeshje dhe për të luftuar deri në fund për titullin kampion.

Ju ka marrë malli për emocionet e derbit në fushë?

Pa diskutim që më ka marrë malli për betejat ndaj Tiranës, është ndeshja më e bukur dhe më emocionuese e futbollit shqiptar.

A do të donit ta luanit një ndeshje në “Air Albania”, një nga stadiumet më moderne në Ballkan?

Mos më bëj t’i futem stërvitjes për 2-3 muaj e të rikthehem në fushë (qesh).

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"