EKSKLUZIVE/ “Unë dhe Gent Muça u kthyem për derbin”, Ngo paralajmëron: Golat po vijnë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 22:57

EKSKLUZIVE/ “Unë dhe Gent Muça u kthyem për derbin”, Ngo paralajmëron: Golat po vijnë!

Majkëll Ngo është i bindur. Tirana është një rrugën e duhur për titullin kampion. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Tiranës analizoi sfidën e bardhebluve. Pranoi se për të ishte e vështirë, sepse luajti i vetëm në sulm, por nga ana tjetër tha se kënaqet me këtë ndeshje të madhe.

ngo

Ngo zbuloi se është kthyer në kryeqytet për emocionet e derbit dhe titullin, ndërsa i qetësoi të gjithë se golat e tij do të vijnë shumë shpejt. Nga ana tjetër, anglezi ngriti në qiell Orges Shehin që ka sjellë qetësi dhe po ndërton skemat fituese për skuadrën bardheblu. Në fund, Ngoja tha se shpreson që edhe me Vllazninë skuadra të ketë të njëjtën dëshirë për të fituar ndeshjen dhe për të vazhduar rrugën e të qenit të pamposhtur. Anglezi këtë sezon ka shënuar vetëm dy herë në javën e parë të kampionatit ndaj Skënderbeut.

Siç mund të thuhet, vjet nuk ishit te Tirana dhe kjo e fundit nuk fitoi derbin. U kthyet dhe Tirana fitoi në derbi…
Është më se e vërtetë. Fakt interesant. Jam shumë i kënaqur me fitoren e Tiranës. Jam i lumtur që po festojnë tifozët. Jam i gëzuar që jam këtu duke luajtur dhe veshur fanellën e Tiranës, por nga ana tjetër më e rëndësishme dhe mbi të gjitha është fakti që skuadra po fiton. Siç mund ta shihni, skuadra po luan e bashkuar dhe kjo është arsyeja që unë dhe Gent Muça u kthyem në këtë skuadër. Së pari, për ngjyrat bardheblu, për tifozët, për derbin që duhet ta fitonim. Por, mbi të gjitha për t’u dhënë këtyre lojtarëve të rinj atë identitetin bardheblu për të fituar ndeshjen dhe për t’u treguar rrugën për të fituar më shumë se një derbi.

Një fitore shumë e rëndë ajo e arritur nga Tirana në derbi. Jeni skuadra e pamposhtur e kampionatit?
Është një fitore e madhe, sepse na jep tri pikët, na jep sigurinë dhe mbi të gjitha na jep mundësinë që të dominojmë kampionatin. Gjithashtu, treguam se jemi një skuadër e fortë dhe mbi të gjitha “Fair”. Jam i kënaqur për skuadrën dhe atë që tregoi në fushën e lojës. Këtë pozitivitet në ambient dhe në rezultat duhet ta ngarkojmë dhe përcjellim edhe një ndeshjen tjetër të kampionatit.

Mund ta përsërisë kjo skuadër atë që bëri Tirana dy sezone më parë duke fituar titullin kampion?
Nuk dua të flas para kohe për titullin. Gjithsesi, mund të them se jemi në rrugën e duhur së bashku me trajnerin e skuadrës. Trajneri është një person shumë i rëndësishëm, i plotësuar me taktikat e duhura dhe duke na dhënë mundësi për të fituar, pasi ka analizuar kundërshtarët. Nëse vazhdojmë me mënyrën se si kemi luajtur deri tani dhe atë që kemi bërë deri tani me njëri-tjetrin në stërvitje, pa dyshim që do të jemi pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion. Kjo është më se e sigurt.

Golat e Majkëll Ngosë në derbi dhe kampionat kur do t’i shohim në fushën e lojës?
Golat po vijnë. Kjo është e sigurt. Ajo e së hënës ishte një ndeshje e vështirë. Për nga mënyra si e kishim përgatitur, hapësirat do t’i kisha të pakta, për më tepër që luanim ndryshe nga zakonisht. Punova shumë, sepse nuk kishim shumë lojtarë në sulm. Gjithsesi, më shumë se golat ishte fakti dhe mundësia e të krijuarit të shanseve për të shkuar te goli. Në fund skuadra fitoi dhe kjo është gjëja më e rëndësishme në derbi. Nuk ka rëndësi se cili shënon, rëndësi ka fakti që të fitojë Tirana. Kjo e fundit fitoi dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse të festoj.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"