EKSKLUZIVE/ Trajner në tri kategori brenda sezonit, Stavri Nica: Po bëj histori, do ngjisim Devollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2019 | 23:06

EKSKLUZIVE/ Trajner në tri kategori brenda sezonit, Stavri Nica: Po bëj histori, do ngjisim Devollin

Nga Superiorja, në Kategorinë e Parë dhe tani në të Dytën. Stavri Nica vendosi një rekord gjatë këtij sezoni ku brenda pak muajve i ka provuar të tria kategoritë e futbollit në Shqipëri. Fillimisht e nisi me Burrelin në të Parën, nga ku u largua pas disa javësh. Më tej mori drejtimin e Kastriotit në Superiore, ndërsa në fillim të janarit i surprizoi të gjithë duke zgjedhur Devollin e Kategorisë së Dytë.

Një trajner kontrovers që flet gjithmonë hapur, ndërsa ka lënë gjurmë në pjesën më të madhe të ekipeve që ka drejtuar. Tashmë, do të provojë një eksperiencë të re, të ngjisë Devollin në Kategorinë e Parë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama Sport”, Nica tregon arsyet përse pranoi këtë ofertë nga një qytet i largët dhe ambiciet që ka.

stavri nica

Nica, çfarë ju bindi të pranoni të drejtoni një ekip që konkurron në Kategorinë e Dytë, për më tepër në një qytet të largët dhe shumë të ftohtë?

Njerëzit duhet të provojnë të gjithë për të dhënë kontribute si atje ku është ngrohtë edhe atje ku është ftohtë. Në karrierën time nuk kam bërë pauza. Kam punuar që nga të rinjtë deri te Superiorja. Unë do të punoj derisa të më lënë fuqitë. Devolli është ekip i zonës ku unë kam lindur dhe po ndiej emocion të veçantë në drejtim të tij. Do t’i shërbej sa më shumë të mundem ekipit dhe qytetit të mrekullueshëm që e do futbollin.

Për pak ditë nis faza e dytë që është edhe më e rëndësishmja për Devollin. Besoni se do arrini ta ngjisni skuadrën në të Parën?

Unë jam optimist. Shoh shumë seriozitet duke filluar nga futbollistët që janë profesionistë dhe po punojnë shumë në seancat stërvitore, por edhe donatorët dhe bashkia janë angazhuar në çdo drejtim. Kur sheh që punon një grup i tërë, për të njëjtin objektiv, shpresa për t’u ngjitur një kategori më lart është shumë e madhe.

Janë tri ekipe që rivalizojnë në këtë grup, si mendoni, ku qëndron forca që ju bën të ndryshëm nga kundërshtarët?

Nuk jap dot një përgjigje ekzakte për këtë, pasi nuk i kam parë direkt kundërshtarët, por edhe ekipet e tjera. Gjatë rrugës do të shohim se cili është më i zoti. Më vjen keq, pasi në këtë kategori ka mundësi të pakta për të afruar futbollistë. Mundësitë janë të reduktuara, por edhe ekipet e tjera janë në të njëjtat pozita. Kemi futbollistë shumë të mirë nga Korça dhe Bilishti e shpresoj të fus shpirtin e garës në ekip.

Do të qëndrojë gjatë Nica te Devolli?

Besoj se po. Kam ardhur për të realizuar një objektiv madhor dhe të mbështetur në ide.

Kjo do të thotë se mund t’u shohim me këtë ekip edhe në Superiore?

E pse jo, gjithçka mund të ndodhë. Megjithatë, për momentin jemi të përqendruar te faza e dytë e kampionatit ku synojmë të bëjmë më të mirën dhe të realizojmë objektivin që kemi, ngjitjen në Kategorinë e Parë. Duke parë grupin që kemi, jam i bindur se do t’ia arrijmë qëllimit.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"