EKSKLUZIVE/ Trajner i ri për Kukësin, drejtuesit të dyzuar për stolin e verilindorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2022 | 22:50

EKSKLUZIVE/ Trajner i ri për Kukësin, drejtuesit të dyzuar për stolin e verilindorëve

Gjëja e parë që pritet të marrë zgjidhje në Kukës është ajo e trajnerit. Dy janë pistat për momentin, konfirmimi i Rrahman Hallaçit që e mori detyrën provizorisht pas dorëheqjes së Enkeleid Dobit apo zyrtarizimi i një trajneri të ri.

hallaci shameti

Për momentin, të dyja po shihen me shumë interes nga ana e klubit dhe ende nuk mund të thuhet me siguri se çfarë vendimi do të merret.

Megjithatë, sipas burimeve në klub, gjasat më të mëdha janë që të gjendet një timonier i ri dhe t’i jepet besimi deri në fund të sezonit, me shpresën se me ndërhyrjet në merkaton e janarit do të arrihet edhe Europa.

“PISTA” SOKOLI – Gazeta e pati përmendur edhe më herët që Bylbyl Sokoli ka qenë një alternativë e Kukësit në kohën kur pankina e Dobit po vihej në dyshim, pasi tekniku u pa në disa ndeshje në tribunë. Mirëpo, atë kohë klubi e mohoi që Sokoli ishte një opsion, kjo edhe për faktin se i kishin dhënë besimin Dobit.

bylbyl sokoli

Tani, me largimin e tij dhe me një pankinë vakante, shtohen zërat për një bashkëpunim për pjesën e mbetur të sezonit.

Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit verilindor, pohojnë se Sokoli është një opsion konkret dhe palët shumë shpejt mund të arrijnë në një marrëveshje.

Gjithsesi, ndryshe nga sa ka ndodhur zakonisht, kur ishin kuksianët ata që i vendosnin kushte trajnerit, tani është ky i fundit që ka vënë kushtet e tij.

Bëhet fjalë për stërvitjen dhe grumbullimin e skuadrës në Kukës, gjë që për momentin duket e vështirë të plotësohet nga klubi, sepse bazën e tyre e kanë në kryeqytet dhe në Kukës shkojnë vetëm për ndeshje.

Emri i 64-vjeçarit është lidhur edhe më herët me ekipin e Kukësit, por tani duket se gjërat janë pjekur dhe është kandidati më i mundshëm për të marrë në dorë skuadrën në këtë krizë që e ka kapur.

bylbyl sokoli

Sokoli ka trajnuar në disa prej ekipeve kryesore në kampionatin kosovar, ku së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës së Gjilanit. Megjithatë, aventurat e tij nuk kanë zgjatur shumë, duke ndërruar shpesh disa ekipe.

SITUATA – Kushdo që do të marrë përsipër të drejtojë Kukësin për pjesën e mbetur të sezonit nuk do ta ketë një sipërmarrje të lehtë.

Së pari, duhet të largohet sa më parë nga zona e ftohtë, sepse rreziku është real. Së dyti, duhet të sigurojë me çdo kusht Europën, sepse në të kundërt bëhet sezoni i tretë radhazi që nuk marrin pjesë dhe dëmet financiare të klubit janë shumë të mëdha.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"