EKSKLUZIVE/ Titulli i vitit 1997, trajneri Gjondeda: Ne vlonjatët na paragjykonin, ja si fitoi Tirana! Tani FSHF të mos gabojë sërish me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2020 | 0:18

EKSKLUZIVE/ Titulli i vitit 1997, trajneri Gjondeda: Ne vlonjatët na paragjykonin, ja si fitoi Tirana! Tani FSHF të mos gabojë sërish me…

Ndodh rrallë që një kampionat të shtyhet për një kohë të pacaktuar, por kur në mes janë forca madhore, askush nuk mund të dalë mbi to. Për herë të fundit që Kategoria Superiore (cilësohej Kategoria e Parë deri në vitin 2002) është ndalur, ka qenë sezoni 1996-1997, pikërisht në vitin e trazirave në Shqipëri. Sezoni i rregullt u luajt deri në mars 1997, kur dhe u zhvilluan 17 javë kampionat.

Latif Gjondeda

Deri në atë moment renditja ishte kjo: Flamurtari i pari (37 pikë), Tirana e dyta (34 pikë), Vllaznia e treta (33 pikë), si dhe Apolonia e Partizani në vendet katër dhe pesë (me nga 31 pikë). Tashmë që edhe edhe në vendin tonë është përhapur koronavirusi dhe kampionati është pezuluar pa afat, ish-trajneri i Flamurtarit, Latif Gjondeda (ish-futbollist i shquar në vitet ’80)), kthehet pas në kohë.

Njeriu që drejtoj skuadrën në vitin e mbrapshtë 1997, kujton peripecitë dhe heqjen nga dora të titullit kampionat, por ndërkohë flet edhe për karantinën ushtarake që ka provuar vetë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Gjondeda thotë se FSHF nuk duhet të bëjë gabimet e vitit 1997. Sipas tij, kampionati duhet të nisë aty ku u ndërpre, ndoshta edhe pas dy muajsh. Ai bën të ditur se ekipi vlonjat u paragjykua nga ngjarjet që kishin përfshirë Vlorën.

Gjondeda Latif

Latif Gjondeda dhe Rapo Taho në pankinën e Flamurtarit gjatë një ndesheje

Jemi në një situatë ku nuk mund të flitet për futboll. Si e shtyn ditën dhe a i respekton rregullat pas përhapjes së koronavirusit?

Të gjitha masat që ka marrë qeveria janë korrekte. Megjithatë ne këtu në Vlorë deri tani jemi mirë me shëndet, nuk na ka prekur koronavirusi. Unë jam në shtëpi në karantinë, jo se kam gjë, pasi gëzoj shëndet të plotë, por respektoj urdhërta dhe këshillat e mjekëve. Ndjek televizor, dalë marrë ajër të pastër këtu pranë banesës time dhe ndonjëherë bëj edhe ndonjë punë shtëpie.

Kampionati është ndërprerë dhe nuk dihet se kur do të nisë. Ju keni qenë trajner i Flamurtarit në vitin 1997, çfarë kujtoni nga ajo kohë kur ekipi ishte në krye dhe më pas u vendos nga FSHF për të vazhduar në Tiranë sezonin me system grumbullimi?

Nëse bëjmë një krahasim, është ndryshe nga viti 1997 kjo situatë e tanishme, pasi atëherë në qytetin tonë shpërtheu revolta. Ndërsa tani  Vlorë jemi shumë larg epidemisë që është shfaqur. Faktikisht në periudhën e vitit 1997 mirë do të ishte që kampionati të ishte pezulluar. Por, ata (i referohet FSHF-së) donin ta mbyllnin si sezon. Mesa kujtoj nga marsi deri në maj nuk u luajt.

Si u grumbullua ekipi në atë kohë dhe pse ju ulën katër pikë?

Ne stërviteshim paradite, pasi pasdite nuk krijoheshin kushtet e rendit dhe qetësisë publike. Stërviteshim shpejtë në mëngjes nga ora 08:30 deri në orën 10:00, sepse pastaj vinte Policia e Shtetit. Bëmë një muaj përgatitje, pastaj e bëmë në Tiranë pjesën e mbetur të kampionatit. Na hoqën edhe pikët prej situatës, por në fakt ato ndeshjet nuk na i bënë sipas shortit që na takonte, pasi ishim vendi i parë. Pra, gjetën një mënyrë për të shkurtuar kalenderin e ndeshjeve dhe për të krijuar edhe mudësinë e pikavarazhit. Ne ishim tri pikë më shumë se Tirana, e më pas ai kampionat rinisi me pikë të barabarta.

Gjondeda

Latif Gjondeda dhe Edmond Liçaj kur drejtonin Flamurtarin në vitin 1997

Ndiheni të vjedhur për mënyrën se si shkuan gjërat në atë periudhë dhe vendimi që mori FSHF për të bërë “play-off” në Tiranë?

Për periudhën që ishte, Tirana ishte qytet si më i rregullt nga rendi dhe qetësia. Por, edhe atje ne patëm probleme, pasi politika e atëhershme ishte që Vlora është qyteti i trazirave dhe na shikonin si shkaktari të problemeve. U paragjykuam në Tiranë. Ndërkohë luajtëm me djemtë të rinj të ekipeve U-17 dhe U-19 të asaj kohe, pasi lojtarët e mirë që kishim blerë, ishin larguar në atë kohë prej trazirave.

Çfarë kujton nga finalja e Kupës me Partizanin në qershor 997?

Luajtëm në “Qemal Stafa” dhe ndeshja shkoi 2-2 me kohë të rregullt. Më pas kemi humbur me penallti. Pas ndeshjeve të kupës, filloi edhe kampionati muajin pasardhës. Brenda një kohe të shkurtër u mbyllën të dyja kompeticionet.

Tani që jemi në kushte emergjence, si mendoni se duhet të vazhdojë kampionati pas pushimit të detyruar. Pra, të luhen 10 javët e mbetura apo të bëhet një ndarje e ekipeve si në vitin 1997?

Për mendimin tim këtu ku nga ngelur duhet të vazhdojë. Karantina ka qenë edhe në kohën tonë si ushtar. Ne futbollistët në atë kohë bënim tre muaj karatnatinë, bënim betimin ushtarak, pastaj futeshim në stërvitje dhe ndeshje. Por, pas tre muajsh aktivizoheshe. Për mendimin tim, ky është një problem që ka gjithë globi dhe kampionati duhet të fillojë aty ku u ndërpre, por duhet parë mundësia e situatës. Edhe nëse u shty 1 apo 2 muaj, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. E humb vlerën kur bëhet me grupe si në vitin 1997. Pastaj fillojnë pretendimet, jo humbas UEFA-n, jo interesin, njëra për titull e  tjetra për vendet e fundit. Atje ku ka mbetur të vazhdojë. Mua kjo karantinë më kujton kohën e ushtrisë.

Gjondeda5

Çfarë mbani mend nga ajo kohë, si ishte karantina për një futbollist dhe a kishit tolerime?

Kam qenë ushtar në Aviacion dhe prej andej më kaluan në Repartin e Bunavisë në Bestrovë. Karantinën e kam bërë në Bunavi. Nuk lëvizje dot nga reparti, bënim stërvitjen e mëngjësit dhe zbatonim rregullat dhe detyrimet si ushtar. Patjetër që për ne futbollistët kishim tolerime. Pas një muaji largoheshim nga reparti vetëm për stërvitje. Më morën ushtar edhe në Tiranë në vitet ‘80 dhe qëndrova në karantinë një muaj dhe isha te ekipi i Partizanit, ku stërvitesha nga trajneri Bejkush Birçe. Pastaj erdha në Vlorë se më kërkoi Komiteti Qëndror i Partisë.

Si për ironi të fatit, Flamurtari ka prerë biletën e rënies nga Superiorja. Si e shpjegoni këtë krizë dhe a shikoni shpresë për një ringritje?

Nuk e di pse, por më vjen shumë keq. Mirë ishte që Flamurtari ta rimarrë veten sa më shpejtë. Kjo do t’i shërbej edhe për një zgjidhje më të mirë. Kjo situatë të zgjidhet dhe të marrë drejtimin e duhur, pasi e përmirëson edhe më shumë klubin dhe brezat. Pra, tani duhet të bazohen tek elementët dhe talentet vlonjate. Besoj do t’i bëjë mirë Flamurtarit kjo gjë.

Çfarë ndodhi në vitin 1997?

Ishte sezoni 1996-1997, teksa kampionati u ndërpre pas vetëm 17 javësh në mars, për të vazhduar më pas në muajin gusht 1997. Diçka e pazakontë, për më tepër që ishte një kampionat me 18 skuadra. FSHF bëri një “shpikje” në atë periudhë, duke e ndarë kampionatin në tri grupe me nga 6 ekipe. Praktikisht u zhvillua një fazë “play-off” dhe “play-out”, që shpalli Tiranën kampione. Pas 17 javësh kampionat i rregullt kryesonte Flamurtari, por që e humbi fronin pas penalizimit me 4 pikë nga FSHF dhe më tepër prej faktit se ndeshjet nuk u zhvilluan më në Vlorë, teksa skuadra thuajse u shpërbë. Ekipet luajtën nga vetëm pesë ndeshje. Gjashtë të parët që ishin për titull luajtën në Tiranë, ndërsa gjashtë të tjerat të mesit të artë në Durrës dhe Kavajë.

Caste nga ndeshja Flamurtari Tirana

Çast nga një ndeshje mes Flamurtarit dhe Tiranës dy dekada më parë. Leonard Perloshi i vlonjatëve në duel me Rudi Vatën e bardhebluve. Ndërsa në sfond edhe Devi Muka si pjesë e Tiranës…

Ato ekipet që luftonin për mbijetesë i zhvilluan takimet në Elbasan. Luftëtari i Gjirokastrës (në vitin 1997 klubi kishte emrin Shqiponja), u tërhoq nga gara, edhe pse pozicionohej në vendin e 15-të me 19 pikë. Kësisoji, grupi i skuadrave që luftonin për mbijetesë vazhdoi me vetëm pesë klube. Në atë sezon bardheblutë u shpallën kampionë me 46 pikë, ndërsa në vend të dytë e mbylli Vllaznia (43 pikë).

Përpara se të luhej faza “play-off” për titullin, në stadiumin “Qemal Stafa” u zhvillua finalja e Kupës së Shqipërisë, pikërisht në qershor të atij viti mes Partizanit dhe Flamurtarit. Trofeun e fituan “demat e kuq”, teksa 90 minutat u mbyllën 2-2, ndërsa nga pika e bardhë Partizani ia doli duke shënuar 4 gola ndaj 3 të vlonjatëve. Duhet të ndërhyjë edhe bashkia për zgjidhjen e kësaj situate.

Renditja

ERMAL SIKA – PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"