EKSKLUZIVE/ “Titulli është i Tiranës”, Vangjeli “sms” Shehit: S’besoj se përmbysjen e mendon edhe vetë ai (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2020 | 20:29

EKSKLUZIVE/ “Titulli është i Tiranës”, Vangjeli “sms” Shehit: S’besoj se përmbysjen e mendon edhe vetë ai (E PLOTË)

Kristi Vangjeli është një nga lojtarët që ka bërë diferencën në fushë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, korçari i bardhebluve thotë se Tiranës nuk mund t’ia marrë askush titullin kampion, paçka llogarive që mund të bëjnë të tjerët. Një deklaratë që në njëfarë mënyre paralajmëron Orgesh Shehin i cili i sheh 9 pikët e rikuperueshme.

kristi vangjeli tirana

Si po shkon karantinimi? Vangjeli është nga ata që nuk është mësuar që të qëndrojë brenda?

Po shkon mirë. Jemi mësuar me këtë situatë dhe po e kalojmë. Jemi më shumë se dy muaj në të tilla kushte. Përshtatemi me kushtet që kemi. Si në shtëpi dhe jashtë, duke filluar nga distancat e me radhë. Nuk janë kushtet më të mira, por ia vlen që të presim edhe pak që të kthehemi në normalitet.

Ju mungon stërvitja me gjithë grupin, sepse individualisht jam i bindur se keni punuar?

Sigurisht që mungon stërvitja në grup, po jo vetëm unë, por të gjithë ata që merren me futbollin. Në radhë të parë ne e kemi si punë, por edhe si pasion. Futbolli gjatë gjithë jetës sonë na ka motivuar.

Adrenalina e futbollit është e veçantë. Si e fitoreve, humbjeve ose çfarë futbolli krijon gjatë gjithë sezonit dhe në fushë. Mezi presim të rikthehemi tek adrenalina e lojës, ndonëse këtë herë pa tifozë. Me këtë situatë gjithashtu ne duam të arrijmë tek objektivi titull. Jemi nëntë pikë larg Kukësit dhe shpresojmë që të ngremë trofeun e titullit.

E pranoni trofeun që ta ngrini edhe pa luajtur fare futboll, pasi ekziston edhe një plan i tillë?

Edhe ky opsion pranohet. E ka thënë edhe UEFA. Nëse nuk luhet, atëherë skuadra kryesuese do të ngrejë trofeun e titullit. Ne e meritojmë këtë titull, edhe nëse nuk luhet. Kemi qenë dhe jemi të parët. Kemi një diferencë të lartë dhe e kemi treguar në fushën e lojës që jemi më të mirët këtë sezon. Nëse nuk luhet, nuk ka përse të mos fitojmë në tavolinë.

U vonua nisja e stërvitjes. Dëmton klubet dhe lojtarët që qëndrojnë pasivë prej dy muajsh?

Pak po. Mund të kishim nisur më shpejt. Do të ishte më mirë për të gjithë ne. A mjafton koha për të qenë në fushë për datën 3 qershor? Besoj se tri javë janë të mjaftueshme për çdo ekip për t’u përgatitur. Çdo ekip do të jetë në të njëjtin nivel dhe skuadrat nuk do të jenë me diferenca. Sado që të bësh stërvitje nuk është e njëjta gjë, nëse bën me grupin apo ndeshje miqësore. Për të mos folur për fazën përgatitore.

vangjeli-shehi-dinamo-skenderbeu-470x313

Orges Shehi ka thënë që nëse fitojnë direkt, duhet të rikuperojnë gjashtë pikë ndaj Tiranës në nëntë takime?

Orges Shehin e njoh shumë mirë. Kemi luajtur bashkë. E kuptoj përse e ka thënë atë fjali. Mbase kërkon t’i ngrejë moralin ekipit të tij. Nuk besoj se një gjë të tillë, pra përmbysjen, e mendon edhe vetë ai. Them që është e pamundur të rikuperohen nëntë pikët e avantazhit që kemi ne dhe Tirana është në krye. Aktualisht jemi të parët dhe duke e njohur aftësinë e skuadrës sime, është e pamundur.

Të gjithë e duan Vangjelin te Tirana edhe për vitin tjetër. Çfarë do të bëjë Kristi?

Të them të vërtetën, asnjë nuk mendon për rinovimin, largimet apo afrimet. Duhet të shohim se si do të funksionojë situata dhe kampionati. Më pas, duke llogaritur dëshirën e presidentit dhe timen, mund të vendosim. Do të flas edhe me familjen dhe ku do të ndihem më mirë do të firmos.

OLSI AVDIAJ 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"