EKSKLUZIVE/ Tirana-Skënderbeu, Lika kunj “Dajave”: Të rrezikshëm, nuk hyj në fushë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2020 | 0:01

EKSKLUZIVE/ Tirana-Skënderbeu, Lika kunj “Dajave”: Të rrezikshëm, nuk hyj në fushë (E PLOTË)

Ilion Lika nuk është kapiteni i parë i skuadrës, por më i pjekuri te bardheblutë. Lider i padiskutueshëm në fushën e lojës, portieri i Tiranës që këtë vit mbush 40 vjeç rrëfen sezonin e tetë bardheblu. Lideri i skuadrës bardheblu, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, rrëfen gjithçka. Është i bindur se Tirana do të bëjë një kampionat të veçantë. Por mbi të gjitha është i gatshëm të pranojë çdo gjë për të mirën e bardhebluve. Sigurisht, e ndien se Tirana këtë vit do të luftojë për titullin kampion, gjithmonë duke i marrë ndeshjet njëra pas tjetrës.

ilion lika

Ilion si e shihni Tiranën në këtë moment? 

Është akoma mesi i sezonit. Duhet ta pranoj se kemi bërë një sezon me oshilacione, që nuk i takonte këtij ekipi ose më saktë skuadrës së ndërtuar. U ndërtua një ekip për të qenë sezon i suksesshëm nga ana jonë. Patëm nisje të mirë dhe më pas disa luhatje dhe në fund arritëm që të mblidhnim veten. Arritëm të japim më të mirën këto kohë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu.

Përse ndodhi ky oshilacion?

Është diçka që ndodh në futboll. U ndodh të gjithë skuadrave në futboll. Na ndodh edhe neve. Ekipi asnjëherë nuk ka ecuri ashtu siç e dëshirojmë ne. Ecuria ka uljet dhe ngritjet. Neve na ndodhi në atë periudhë dhe nuk e di. Nuk i japim shpjegim. E rëndësishme është që nuk e lamë situatën të degradonte më shumë, sepse do të ishte shumë problematike për shkak të investimit financiar të këtij ekipi që është bërë për të qenë në atë gradë ku ishim ne. Ramë shumë poshtë në klasifikim. Edhe pse ishte e vështirë, arritëm që të gjejmë forca dhe të reagojmë, në sajë të djemve që e kuptuan se në çfarë gjendjeje ishim dhe ku duhej dhe duhet të shkojmë. Kualiteti ishte dhe ia dolëm të ngjitemi. Jemi në këtë gjendje, por do të jetë shumë e vështirë që ta mbajmë këtë ecuri nëse nuk punojmë seriozisht dhe për t’u ngjitur më lart.

ilion likaa

Keni qenë një nga vendimtarët në shumë ndeshje, sepse keni shpëtuar rezultatin?

Mundohem të jap gjithmonë maksimumin. Tani e kuptoj edhe më mirë çdo gjë. Kur je i ri, gjërat nuk i kupton siç duhet ose i anashkalon. Mosha dhe pjekuria është e madhe, ashtu si edhe përgjegjësia akoma më e madhe. Gjithmonë mundohem që të ndihmoj ekipin me sa kam mundësi, madje edhe nga ana sportive dhe jashtë. Të gjithë mundohem t’i këshilloj e t’i mbaj afër, sepse ekipi ka nevojë. Po kështu do të mundohem që të mos bëhem barrë e kësaj skuadre, sepse normalisht edhe moshën që kam është normale. Për momentin nuk po bëhem barrë, sepse me aftësitë e mia po e ndihmoj ekipin dhe në këtë linjë do të vazhdoj kështu si po ecën.

 E përse e shikoni si barrë? Ju jeni në formë? 

Ndoshta nuk po kuptohemi. Në momentin që unë çedoj, hap krahun. Ilioni do të shohë gjithmonë interesin e klubit dhe jo të tijin. Këtë e them sepse paragjykohem shumë, madje edhe për moshën. Karriera ime është e mbushur. Dëshira ime është që Tirana të realizojë objektivin dhe të ecë përpara dhe të jetë më mirë. Se aktivizohet Ilioni, pak rëndësi ka. Edhe atë që do të aktivizohet në vend të Ilionit, unë do ta mbështes.

ilion lika

Cili është çelësi i rikthimit të skuadrës në vendet e para? 

Suksesi i kësaj skuadre është alternuar mes lojtarëve me eksperiencë, të huaj dhe shqiptarë si dhe të rinjtë. Ka një gërshetim të bukur. Jemi një grup i mirë djemsh, apo që ka kualitet, por edhe djem që kanë shpirt të mirë. Në momentin që ne do bashkohemi, do të bëjmë gjëra të bukura.

Në Shkodër ishit vendimtar. Nëse Kobina shënoi dhe fituat, ju pak minuta më parë bllokuat Zhuniorin dhe nuk e latë të shënonte gol?

Mua më bëhet shumë qejfi. Sadopak që e ndihmoj ekipin, jam shumë i lumtur. Gjithmonë do të jem i lumtur që skuadra ecën. E thashë edhe më lart. Kam arritur në një stad që nuk shoh veten. Në momentin që ecën ekipi do të thotë se grupi është i bashkuar.

Në momentin që nuk ecën, duket që secili sheh vetëm për veten e tij dhe thotë unë luajta mirë, ç’më intereson nëse ka humbur skuadra apo nuk po fiton, kjo është vdekje e sigurt e ekipit dhe e rezultateve. Më shumë se i lumtur për pritjen jam i lumtur për tri pikët që morëm në Shkodër.

Është sezoni më i mirë i Ilionit? 

Ka pasur sezone edhe më të mira se ky. Të them të vërtetën dhe për të qenë me këmbë në tokë, ne kemi pësuar shumë gola. Marr edhe përgjegjësitë e mia dhe këtë nuk e vë në diskutim. Kur pëson ekipi, ka përgjegjësi, por përqindje të madhe ka edhe portieri. Nuk jam shumë krenar që kemi pësuar kaq shumë gola.

Po tregoheni modest, ama mund të kishte qenë edhe më keq? 

Këtë nuk e di, por ndoshta mund të bënim edhe më mirë në aspektin defensiv.

 Çfarë i jep Ilioni nga eksperienca e tij kësaj skuadre?

Çfarë të mundem. U rri afër në aspektin shoqëror dhe psikologjik. Në fund të fundit nëse djemtë e rinj ecin apo ngjisin shkallët siç duhet, edhe Ilioni do të ndihet krenar, sepse dashje pa dashje edhe ai ka vënë një tullë në karrierën e tyre.

Mund të flasim për titull këtu te Tirana?

Dihet shumë mirë se për çfarë është ndërtuar ky ekip. Shpenzimet janë shumë të mëdha. Më shumë se për titullin, ne më mirë të mendojmë të fitojmë çdo ndeshje. Kjo është strategjia jonë dhe e skuadrës. Duke parë që kemi edhe djem të rinj që nuk kanë eksperiencë, objektivi titull do t’i rëndonte. Po të ecim dhe të fitojmë çdo ndeshje, duke e parë çdo ndeshje si finale, në fund fare edhe titulli fitohet.

Ilir Daja ka thënë që i di pikat e dobëta të Tiranës… 

Me gjithë respektin që kam për Ilir Dajën, dua të them se është një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. E dyta, nuk besoj se e ka thënë, ose nuk përkon me tipin e tij. E di që është me këmbë në tokë, ose në intervista ishte i kujdesshëm. Nëse e ka thënë që na mund, na ka gjet çelësin për të na ndalur, atëherë të mos futemi në fushë dhe të presim Kukësin, meqenëse ndalemi nga Skënderbeu.

Po për Dajën tjetër keni ndonjë fjalë, meqenëse për ju është një nga shokët më të mirë?

Kam folur me Asionin. Nëse ai është në fushë, atëherë do të bisedoj me Egbonë që të mos aktivizohem fare, sepse ai është shumë i rrezikshëm.

Çfarë ka sjellë Egboja që skuadra ka nëntë fitore radhazi mes kampionatit dhe Kupës? 

Që të jemi të qartë, ekipi u ndërtua nga Ardian Mema. Kishte shumë kualitet dhe patëm besim se do të ecte. Skuadra pati oshilacionet e veta dhe një trajner sado i aftë dhe për mua Ard Mema ishte i aftë, trajneri në skuadra të mëdha peshohet nga rezultatet. Për fat të keq, Ardit nuk i eci.

Egboja ka sjellë asgjë më shumë se thjeshtësi, punë, ka kërkuar futboll të thjeshtë. U ka kërkuar djemve të jenë të qetë. Thjeshtësia na solli këtu ku jemi. Ka qenë edhe mbështetja e madhe e presidentit, që duke parë situatën, ka qëndruar më afër. Kjo është gjithçka që ka bërë Egboja.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"