EKSKLUZIVE/ “Tirana blerje super, Partizani e meritoi titullin”, Muça: Çudira me trajnerët, por jetojmë në Shqipëri (E PLOTË)
Shkëlqim Muça është i bindur se skuadrat sh qiptare, duke përfshirë edhe Tiranën, kanë 50 për qind shanse për t’u kualifikuar në Europë. Në një intervistë për “Panorama Sport” flet për bardheblutë, Partizanin dhe Superioren. Nuk lë pa dhënë këshilla për skuadrat shqiptare. Në fund të intervistës thotë dy fjalë për Kombëtaren dhe çfarë duhet të bëjë në shtator.

Kampionati përfundoi. Si një njohës perfekt i futbollit shqiptar ka Muça një opinion për sezonin?
Natyrisht kur mbaron një kampionat thuhet që fituesi nuk gjykohet. Megjithatë, që nga janari e në vazhdim, Partizani dhe Tirana kanë qenë dy skuadrat që rivalizuan për titullin. Ato u ndanë që në fillim. Egnatia ishte ekipi më i afërt që i ndiqte, por mes dy grupeve pati distanca dhe Egnatia në fund luftonte për Kupat e Europës dhe realisht bëri një kampionat të mirë me blerjet e reja që mori.
Mendoni se fitoi Partizani për meritë të tij apo gaboi Tirana në fund të kampionatit?
Partizani e Tirana e ndanë kampionatin me pikë të barabarta. Fitoi ai që gaboi më pak në fund. Fituesi nuk gjykohet. Tirana bëri gabimet e veta në fund, sidomos në ndeshjen e parafundit. Kishte përballë një skuadër që mund ta rrihte me lehtësi, por them e nënvlerësoi atë ndeshje. E mori pak lehtë. Partizani ishte më i përqendruar dhe e meritoi titullin. Egnatia meritoi gjithçka, nuk vodhi asgjë. Mori atë që meritoi, ashtu si edhe të gjithë skuadrat e tjera. Verdiktet ishin në fund të fundit të drejta.
Mund të themi që futbolli është rikthyer në kryeqytet?
Gjithmonë skuadrat e kryeqytetit kanë bërë ligjin. Herë-herë skuadrat e rretheve kanë dalë, siç ishte rasti i Skënderbeut, por Tirana, Partizani janë skuadrat që kanë fanellën më të rëndë dhe që gjithmonë do të jenë pararoja e kampionatit.
Dinamo?
Kënaqësi është. Njerëzit i duan prej nostalgjisë. Them se emra të tillë jo vetëm Dinamo, Flamurtari, Skënderbeu i mungojnë kampionatit, por tani është ekonomi tregu dhe klubet janë private, ku financimet diku janë më të larta dhe diku më të ulëta. Ama, nostalgjia nuk pik më ujë. Mbetet gjithmonë problemi financiar dhe problemi i menaxhimit.
Tirana luan me Dinamon e Batumit të Gjeorgjisë. Ka Tirana një short të mirë? Po skuadrat e tjera?
Unë mendoj se Tirana dhe ekipet e tjera kundërshtarët i kanë të kalueshëm. Gjithçka është 50 me 50. Edhe Partizani, që në pamje të parë e ka më të vështirë, pasi ka një kundërshtar me emër në eventet europiane. Skuadrat si Tirana kanë përballë ekipe që edhe kalohen. Kjo ka të bëjë me ekipet tona, merkaton që kanë bërë.
Zakonisht skuadrat tona këto ndeshjet e para i gjejnë të paplotësuara. Këtë moment që Tirana ka marrë masa shumë të mira. Edhe Partizani e Egnatia kanë afruar lojtarë dhe janë të përgatitura. Kohë ka, por siç e thashë ekipet kanë mundësitë e tyre, ama Partizani e ka më të vështirë se çdo skuadër tjetër, ndonëse bonus ka që ndeshjen e kthimit e luan në fushë asnjanëse.
Tirana edhe pse humbi titullin nuk e hoqi trajnerin. Kampionët larguan trajnerin. Cila skuadër ka bërë mirë?
Unë këtë gjë e kam provuar vet në kurriz. Them se Tirana ka bërë mirë. Unë mendoj se kjo situatë ka të bëjë me projektet që kanë klubet për të ardhmen. Me menaxhimin dhe profesionalizmin. Ama nuk mund t’i gjykosh, sepse janë probleme të brendshme, që i dinë drejtuesit e klubeve. Trajnerët i kanë pasur aty gjatë gjithë kohës gjatë një viti dhe i dinë mirë gjërat. Normale nuk është, por në Shqipëri ndodh gjithçka.
Tirana ka rikthyer, Dokën, Hoxhallarin, ka marrë Latifin, Selmanin, një superskuadër në letër?
Tirana ka bërë një merkato cilësore. Ka lojtarë të rëndësishëm që janë rikthyer në skuadër. Janë lojtarë më të pjekur. Duke luajtur në kampionate të tjerë më të fortë se kampionati shqiptar tani kanë mundësi që të japin më shumë. Po kështu, shumica e emrave kanë cilësi dhe mendoj që klubet tani e kanë kuptuar që duhen lojtarë cilësorë, sepse nuk është problem kampionati shqiptar, por duhet që të ardhurat të vijnë nga pjesëmarrja në Europë.
Po pjesëmarrja në Europë do më shumë cilësi. Eliminimi në turin e parë nuk të sjell të ardhura të larta. Tirana ka bërë një ekip cilësor, që të marrë më shumë të ardhura duke kaluar disa ture në Europë, ose duke shkuar në fazën e grupeve të Konferencë Ligës, sepse Champions-i është i vështirë.
Në krahasim me rajonin, skuadrat tona janë më të forta apo më të dobëta?
Në krahasim me Maqedoninë dhe Malin e Zi jemi aty-aty, ndoshta më lart. Por kur avancojmë dhe përballemi me skuadrat të tjera shohim se ata kanë ecur shumë. Bota punon në organizmin e klubeve. Ata e dinë që të ardhurat vijnë nga kalimi i tureve. Kanë infrastrukturë, projekte më afatgjata. Ne jemi shumë pas në këtë drejtim. Ekipi ynë kampion stërvitet në fushë sintetike ai nënkampion gjysmën e vitit në fushë sintetike. Kemi kushtet të këqija dhe çedojmë te akademitë për të rritur lojtarë cilësorë.
Kombëtarja, dy fitore dhe ka shanse për më shumë. Si e keni parë përfaqësuesen?
Te Kombëtarja është krijuar një frymë optimizmi, por deri tani kemi bërë detyrën. Po të shohim deri tani është detyrë për të marrë 12 pikë me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Thjesht kemi bërë detyrën. Gjashtë pikët të ndihmojnë që të ecësh përpara. Ndeshjet e vërteta dhe çdo gjë vendoset në shtator. Në tri ndeshjet që ke ti do të përballesh me skuadrat kryesore, si Çekia dhe Polonia.
Moldavia ka bërë një hap cilësor përpara. Edhe pse është mundur nga ne, ka marrë katër pikë me ekipet e kreut dhe na pret edhe ne brenda fushës. Moldavia ka bërë një hap cilësor. Dikur mundej kollaj. Ne tregojmë me ndeshjet e radhës veten ndaj Çekisë dhe Polonisë. Fryma është e mirë dhe jemi brenda detyrave. Ende nuk e kemi bërë hapin cilësor, sepse me Poloninë, që ne hahemi për vendin e dytë, ne jemi tri pikë minus.
Kemi për detyrë të mundim Poloninë në shtëpi, që të barazojmë pikët. Edhe nëse barazojmë, është përpara Shqipërisë. Ne kemi shumë talente, por duhen harmonizuar. Ky ekip duhet pjekur më shumë. Ndeshja e fundit më dha idenë që skuadra ka cilësi, por nuk është e pjekur. Rrezikoi ndeshjen disa herë. U shpërbëmë nga ana taktike dhe patëm shumë luhatje, duke rrezikuar ndeshjen.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL













