EKSKLUZIVE/ Teko, braziliani që ka idhull Mesin dhe pëlqen pilafin me qofte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 22:33

EKSKLUZIVE/ Teko, braziliani që ka idhull Mesin dhe pëlqen pilafin me qofte

Drejtuesit e Laçit në çdo sezon arrijnë të bëjnë disa goditje të spikatura në merkato, duke afruar lojtarë të padëgjuar, por fanella bardhezi bën që ata të transformohen dhe të dallohen në Superiore. Përveç Kirian Nuabuezes, në javët e fundit te kurbinasit në skenë ka dalë edhe sulmuesi brazilian Teko, i cili në 17 javë kampionat ka realizuar 4 gola, kur dihet se është angazhuar me vonesë në ekip. 

Teko

Teldiano Guimaraes Franka Zhunior është emri i plotë i sulmuesit 24-vjeçar, i cili në futboll personifikohet me Teko. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, braziliani ka treguar se si i lindi dëshira për futbollin, mënyrën se si përfundoi në Shqipëri dhe shumë detaje të tjera që e lidhin me aventurën te Laçi.

Teko pohon se kontratën e parë profesioniste e ka nënshkruar 18 vjeç përkundrejt 176 eurove në muaj. Madje, ai pohon se e ka kursyer rrogën e parë dhe akoma mund të ketë nga ato para. Duket e çuditshme se si një brazilian ka idhull një argjentinas, por Teko ka idhull Mesin. Braziliani tregon peripecitë që ka pasur me përshtatjen në Shqipëri dhe ushqimi i tij i preferuar këtu është pilafi dhe qoftet.

Si lindi pasioni për futbollin dhe kur filluat të hidhnit hapat e parë në këtë sport?

Unë vij nga një shtet ku futbolli është i vetmi argëtim në fëmijërinë tonë. Por, unë e fillova pak më shpejt, sepse babai im ishte një futbollist joprofesionist dhe më merrte gjithmonë me vete. Dhe nga aty filloi dashuria për futbollin.

Kontrata e parë si profesionist?

Kontratën e parë si profesionist e firmosa në moshën 18-vjeçare me ekipin e Real Noroestes, ku përfitoja 176 euro në muaj. E kam kursyer rrogën e parë dhe ndoshta edhe sot kam akoma nga ato para (qesh).

Nga Brazili në Laç, si përfunduat në Shqipëri? 

Në Shqipëri kam ardhur nëpërmjet një agjenti, i cili më foli për Laçin dhe ofertën. Edhe pse vendet tona janë shumë larg njëri me tjetrin, nuk u mendova dy herë. Mora valixhet dhe u nisa, sepse ëndrra e fëmijërisë ishte që një ditë të luaja në Europë dhe sot po e realizoj atë.

 Si ju duket futbolli shqiptar, pikërisht Kategoria Superiore? 

Kategoria Superiore është një kampionat shumë i fortë fizikisht dhe me rivalitet të madh.

Cilin keni idhull në futboll? 

Idhulli im është Mesi. E çuditshme, në fakt, se si një brazilian si unë ka idhull një argjentinas.

Si ju duket jetesa në Tiranë dhe a jeni përshtatur? 

Në fillim ishte shumë e vështirë, për shkak të diferencës së orës. Mezi arrija të flija, por edhe të përshtatesha me jetesën dhe klimën në Shqipëri. Por, falë Zotit, gjithçka shkoi mirë dhe tashmë jam i përqendruar vetëm tek ekipi. Jeta e natës kam dëgjuar se është shumë e mirë në Tiranë, por akoma nuk kam dalë.

Ushqimi juaj i preferuar në Shqipëri?

Ushqimi im i preferuar këtu është pilafi dhe qoftet.

 Cili është miku juaj më i mirë te skuadra e Laçit? 

Të gjithë më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë ndihmuar gjithashtu. Por, më shumë kohë kaloj me Deliun, Fangajn dhe Lushkjen.

Çfarë prisni nga 2020-ta?

Kemi humbur 2 ndeshjet e fundit. Tani duhet të punojmë më fort për t’u rikthyer te seria e fitoreve, sepse kemi një ekip të mirë. Ajo që pres nga ekipi është të pozicionohemi në tri vendet e para dhe pastaj, nëse mund të pretendojmë më shumë, pse jo. Ndërsa nga vetja pres më shumë, pasi kam akoma për të dhënë si futbollist i Laçit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"