EKSKLUZIVE/ “Të rimblidhemi për ta kujtuar historinë kuqezi”, Skela kundër Muratit: Reja i duhuri, më bind (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 22:49

EKSKLUZIVE/ “Të rimblidhemi për ta kujtuar historinë kuqezi”, Skela kundër Muratit: Reja i duhuri, më bind (E PLOTË)

Karriera me 100 ndeshje në Serinë A janë pasqyra më e mirë e një karriere të suksesshme për trajnerin Edi Reja, por të dëgjosh një ishkuqezi si Edvin Murati, atëherë vihesh në dyshim nëse rinovimi katërvjeçar është apo jo i duhuri. E teksa kuqezinjtë e brezit të viteve 2000 u ribashkuan, Ervin Skela ndan krejt një mendim tjetër.


skela bogdani

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-fantazisti kuqezi e “konfirmon” italianin 74-vjeçar, vetëm me CV-në që ka si dhe bën analizën pse është i duhuri për ekipin përfaqësues. Gjithashtu, Skela tregon emocionet në ndeshjen e legjendave, kthen përgjigje për kritikat e listës si dhe tregon hapur ambiciet e tij: “Dua të bëhem trajner. Nëse vjen momenti i duhur, edhe i Shqipërisë, me të cilën kam kontribuuar edhe si kapiten”, është shprehur ndër të tjera Skela.

 Skela, si e keni parë Kombëtaren në edicionin që u mbyll?

Me të mirat dhe të këqijat. Pas shkarkimit të Panuçit, ne e dimë të gjithë që me të dhe pas ikjes së De Biazit patëm një ecuri jo të mirë. Por, duhet të dimë edhe diçka tjetër, që me arritjen në Europian, tanimë për Shqipërinë, pritshmëria çdo herë është edhe më e madhe.

Si e keni parë Shqipërinë nën drejtimin e Rejës?

Me ardhjen e Rejës në fillim funksionuan shumë gjëra mirë.

Cila ka qenë ndeshja më e mirë, sipas jush?

Për mua, ndeshja në Turqi, edhe pse e humbëm. Por, ndodh që janë ata çelësat kryesorë që mungojnë, ai 2%- shi final që ta japin edhe rrugën, si edhe na e dhanë në Europian.

Si e gjykoni vendimin për të rinovuar edhe për 4 vite?

Me vendosjen e trajnerit Reja edhe për katër vite, unë mendoj se është bërë edhe një plan, jo vetëm për edicionin e Botërorit. Në njohurinë time, duke ditur që vetëm vendi i parë kualifikohet direkt, atëherë mund të jetë shumë i vështirë. Kështu që, mendohet për Europianin. Prandaj them se i është dhënë trajnerit kjo periudhë katërvjeçare, që ai ta përgatisë skuadrën për në Europian.

Në këtë logjikë, a është Reja i duhuri për këtë projekt, nisur edhe nga vetë mosha e tij 74-vjeçare? Me gjithë respektin për të…

Reja ka bërë gjërat mirë. I duhuri? Ai është me një CV jashtëzakonisht shumë të pasur. Për ato ndeshje që ka zhvilluar, ka një ide, një linjë dhe një koncept të cilin do ta ndjekë gjithmonë. Edhe në ndeshjet që kemi parë, ashtu ka luajtur, me modulin e vet. Të presim dhe të shohim kur të arrijë suksesin.ervin skela

A është skema e duhur për Shqipërinë 3-5-2-shi?

Jam shumë larg për të folur këtë. Them edhe që mund të bëjë shumë skema, por them edhe që nuk e di sepse varet nga lojtarët, gjendja e tyre dhe forma që kanë në çdo grumbullim. Unë them se kryesore është që Reja ka një ide të tijën për lojën dhe ai do të grumbullojë edhe lojtarët në bazë të saj. Pra, për karakteristikat që kanë, ai do ta çojë deri në fund bindjen e tij për lojën.

A ka pak “Skela” te ndonjë lojtar shqiptar deri tani?

Kjo pyetje më është bërë që tetë vite më parë. Nuk di ç’të them, në fakt, sepse kohët ndryshojnë. Me këtë dua të them që mbase 10-shat ose organizatorët tipikë nuk janë më aq shumë të kërkuar sot.

Çfarë ndjesie ishte për ju që të riktheheshit për të luajtur në “Qemal Stafën”, tashmë të tjetërsuar?

Normale që ishte një ndjesi shumë e mirë. Të vish në Shqipëri dhe të luash në një stadium modern. Pa u bërë edhe shumë modest, por me shumë sinqeritet e them që do të kisha shumë dëshirë që të kishim edhe ne një stadium të tillë në kohën kur kemi luajtur ne.

Do të bënte dallim cilësor?

Jam i bindur që po! Jam i bindur që të paktën gjashtë apo shtatë pikë ne do t’i kishim ekstra në grup. Referuar tifozllëkut, ambientit dhe gjithçka që ofron ky impiant.

U ribashkuat me ish-shokët për një kauzë të rëndësishme, për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti… 

E kam shijuar jashtëzakonisht shumë. Sigurisht për vetë këtë që ju sapo thatë, për kauzën. Por, edhe që takova shokët e mi dhe bashkë me ta na u dha mundësia të luanim në këtë stadium. Një falënderim shumë i madh shkon për Andi Lilën dhe të gjithë pjesëtarët që e kanë organizuar këtë event. E di që është shumë, shumë e vështirë, por ne duhet të marrim pjesën që ishte diçka e bukur dhe ai u mundua që të bënte diçka pozitive. Të gjithë duhet të mundohemi ta bëjmë këtë gjë.

Si ishte ribashkimi në dhomat e zhveshjes, edhe një herë si dikur…

Kemi kaluar jashtëzakonisht shumë mirë. Kemi qeshur shumë, kemi kujtuar vitet dhe momentet e bukura që kemi pasur me njëri-tjetrin. Kemi bërë shumë shaka. Shpresoj që në të ardhmen të mblidhemi më shpesh, uroj shumë jo për të tilla kauza, por që të kujtojmë historinë e këtij vendi.

A ishte ky event një pikënisje për të pasur edhe Shqipëria një ekip kombëtar legjendash? 

Unë shpresoj shumë që të takohemi edhe më shpesh, siç e bëjnë edhe lojtarët gjermanë, italianë. Mësova se lojtarët e përfaqësueses italiane të veteranëve mblidhen një herë në javë dhe bëjnë stërvitje. Ata mbase jetojnë të gjithë në Itali dhe e kanë më të thjeshtë, por sidoqoftë herë pas here ne mund të organizohemi më shpesh si ishlojtarë të Kombëtares. E them këtë sepse historia nuk harrohet. Jo vetëm për ne, por edhe për brezat që do të vijnë.

Ka pasur kritika për listën nga Kola, Haxhi dhe Vata se nuk është bërë në bazë të meritës… 

Unë me këto gjëra nuk mund të them asgjë. E përsëris atë që thashë më lart, se për mua rëndësi ka që thelbi i këtij organizimi ishte një gjë shumë pozitive. Këtu nuk u vendos apo nuk u thërritën lojtarët që janë më të mirët apo diçka e kësaj natyre. Qëllimi ishte që të mblidhen sa më shumë të ardhura për ata njerëz që janë në nevojë. Ditën e ndeshjes, në mëngjes, ne i vizituam atje në zonat e prekura dhe ishte shumë prekëse. Ajo është pika për të cilën ne duhet të flasim të gjithë, duhet të mendojmë të gjithë dhe ta themi me zërin lart se ata njerëz kanë shumë nevojë. Ky është thelbi, nuk është çështja se kush luajti.

Skela

 

 

Po ata, nuk kanë të drejtë të jenë?

Normale që secili ka të drejtën e tij. Kjo nuk diskutohet, ama duhet të dimë që nëse do të thërritet secili që ka qenë në Kombëtare, atëherë duhet të thërriten 200 apo edhe më shumë lojtarë.

Cilat janë planet e Skelës?

Nuk e di tamam-tamam, që të them se si apo çfarë. Ama unë dua që të bëhem trajner.

Mund t’ju shohim një ditë trajner në Shqipëri?

Është ëndrra e çdo futbollisti shqiptar që ka luajtur në vendin e tij, për Kombëtaren e tij… Unë kam luajtur edhe kapiten i këtij ekipi përfaqësues. Jam krenar që jam shqiptar, që kam luajtur për Shqipërinë dhe vendin tim dhe nëse vjen momenti i duhur dhe rrethanat e duhura që të kontribuoj për vendin tim, me kënaqësinë më të madhe që po.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"